Lajme

Kastrati: FSK-ja, lidere në rajon në kërkim-shpëtim

02/07/2023 11:48
nga:Astrit Gashi

Në orët e para të së dielës, Turqinë dhe Sirinë i tronditi një tërmet i madh prej 7.8 ballësh.Shumë vende të botës janë mobilizuar për t’i dal në ndihmë Turqisë, e në mesin e tyre është edhe Kosova.Një kontigjent i kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë janë dërguar në Turqi, për t’i dal në ndihmë popullsisë.Sipas ish-komandantit të FSK-së, Kadri Kastrati, ushtarët e Kosovës janë tejet të përgatitur.

Kastrati tha se ata janë liderë në fushën e kërkim-shpëtimit.

“Ushtarët e Kosovës janë tejet të përgatitur në fushën e kërkim-shpëtimit. Ata janë liderë në rajon sa i përket kësaj. Ne e kemi Qendrën Rajonale të kërkim-shpëtimit në Pomozetin dhe si vend jemi të gatshëm të ofrojmë trajnime edhe për ushtritë e rajonit”, tha Kastrati për KlanKosova.

“Ushtarët e FSK-së janë shumë të trajnuar për kërkime në gërmadha, ujë dhe bjeshkë. Ju e dini që edhe me rastin e tërmetit në Shqipëri, ushtarët tanë kanë ofruar ndihmë jashtëzakonisht të madhe dhe janë treguar më të mirët. FSK i ka të trajnuar edhe njësitin e qenve K9, të cilët janë mjaft të mirë për kërkim në gërmadha”, theksoi ai.

“Ushtria e Kosovës edhe si mision në bazë të detyrimeve e ka pjesëmarrjen në misione paqëruajtëse dhe humanitare”, shtoi ish-numri një i FSK-së.Forca e Sigurisë ka marrë pjesë edhe në misione të tjera humanitare, siç ishte tërmeti që goditi Shqipërinë, në muajin nëntor të vitit 2019, ku si pasojë vdiqën mbi 50 persona.