Lajme

Hyseni godet “Grupin e Tiranës”: Duan konfrontim të Kosovës me SHBA-të dhe BE-në

02/05/2023 11:13
nga:G B

Ish kryenegociatori i dialogut Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për politika anti-amerikane dhe anti-perëndimore nga “Grupi i Tiranës”, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se i ashtuquajturi “Grupi i Tiranës” prej kohësh po dikton politikat qeverisëse në Kosovës përmes politikave të VV-së.

Hyseni ka përmendur se në vitin 2016 kur ai ishte ministër i brendshëm, 3 eksponentë të këtij grupi u patën deportuar nga Kosova, pasi kishin shkelur ligjin për qëndrim në Kosovë.

Ai kujton dhe rastin kur VV pak më vonë bëri një sulm ndaj tij duke e sulmuar veturën e tij private me ngjyrë dhe si pasojë më pas u shkaktua dhe aksident me dy vetura tjera.

Hyseni thotë se VV disa orë më vonë e mori përsipër sulmin dhe nuk u ndërmor asnjë veprim ligjor kundër saj.

Ai ka thënë se gjithë këtë po e bën për të theksuar se e keqja vetëm sa vjen e trashet nëse nuk i ndërpritet rruga me kohë.

Postimi i tij i plotë:

Vetëvendosja dhe politikat anti-amerikane e anti-perëndimore të “Grupit të Tiranës”.

Ka kohë që i ashtuquajturi “Grupi i Tiranës” përpos politikave të VV-së dikton edhe politikat qeverisëse në Kosovë. Krijimi dhe etablimi i politikave anti-amerikane dhe anti-perendimore duket të jetë misioni i këtij “Grupi” që ka për qellim vënien e Kosovës në raporte konfrontuese me SHBA-të dhe BE-në. Diçka që kishte filluar diku në vitin 2015, duket se është konsoliduar fort në politikat partiake të VV-së dhe ato të Qeverisë Kurti. Abdixhiku bëri mirë që e riaktualizoi këtë tendencë. Është detyrë e forcave politike opozitare në Kosovë të mos qëndrojnë indiferent ndaj këtyre përpjekjeve dhe politikave të këtij “Grupi”.

Në vitin 2016, tre eksponentë të këtij “Grupi” u paten deportuar nga Kosova me vendim të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, sepse kishin shkelur ligjin për qëndrim në Kosovë. Në atë kohë, unë isha Ministër i Punëve të Brendshme. Drejtoria pë Migrim dhe të Huaj kishte kryer punën e vet në pajtim me ligjet në fuqi, pas asnjë ndërhyrje politike.

Sidoqoftë, pak kohë më vonë VV e cila e thoshte se “ishte deportim politik”, organizoi një sulm të turpshëm ndaj meje, në kohën time të lirë, ndërsa po lëvizja në veturën time private. Me 22 korrik 2016, ndërsa po ngisja veturën time private, një grup i VV-së, të cilët u identifikuan më vonë, por çuditërisht, u liruan nga gjykata, hodhen ngjyrë në xhamin e përparm të vetures. Si pasojë, nga pamundësia e pamjes për të drejtuar automjetin tim nga ngjyra e hedhur, vetura ime në lëvizje u aksidentua me dy vetura tjera. Pak orë më vonë, me një komunikatë, Vetëvendosja mori përgjegjësinë për sulmin ndaj meje. Dhe prapë, çuditërisht, asnjë verpim ligjor nuk u ndërmorë kunder VV-së, ndonëse sulmi kishte vë në rrezik jetë njerzish!!!

Pasoi një indiferencë e pashpjegueshme. Nuk kishte asnjë reagim apo denim të këtoj sulmi ndaj ministrit të brendshëm, qoftë edhe nga një deputet i vetëm i Kuvendit të Kosovës. Ishte vetem KM Isa Mustafa që kishte dënuar sulmin.

Pse e bëra këtë digression?

Assesi jo për t’u viktimizuar!

E bëra thjesht për të vënë në pah dhe për të theksuar se e keqja vetëm sa vjen e trashet nëse nuk i ndërpritet rruga me kohë. Apo siç thoshte Nelson Mandela: “Budallenjtë shumohen kur njerëzit e mençur heshtin”.

S.H