Në intervistën me gazetaren e kanalit televiziv turk TRT, Nafisa Latic, Kryeministri Albin Kurti duke u përgjigjur në pyetjen se pse Perëndimi po shtyn para një Asociacion njëetnik në Kosovë, deklaroi se problemet në Ballkan kanë thellësi dhe kjo ka të bëjë me historinë nga e cila duhet marrë dhe nxjerrë mësime.
“Për këtë duhet të përgjigjën të tjerët. Shumë shpesh duket që një ujdi është aty në kënd, kështu që le ta bëjmë në mënyrën më të shpejtë”, tha Albin Kurti, derisa u kthye të rikujtojë historinë e krijimin të entitetin serb të Bosnjës.
“Duhet ta marrim seriozisht të ndjerin diplomat amerikan, Richard Hollbrooke, i cili u pendua në vitin 2005 që para 10 viteve më 1995 lejuan këtë entitet në Bosnje-Hercegovinë të quhet Republikë Serbe”, tha Kurti.
Duke folur për tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kurti tha ato nuk derivojnë vetëm nga ajo që s’ka ende një marrëveshje mes palëve, por “derivojnë nga vetë karakteri i shtetit serb”.
“Serbia i konsideron Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën si shtete të përkohshme”, tha ai, derisa shtoi se Serbia “de jure” e njeh Bosnjen “por e lufton çdo ditë”.


