Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht është shprehur kundër formimit të Asociacionit.
Ndërsa, sot ai në Kuvendin e Kosovës, paraqiti 6 kushte për themelimin e tij.
“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik. Duhet të ketë reciprocitet të të drejtave. Para vendosjes së çfarëdo Asociacioni strukturat ilegale duhet të shuhen. Asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes finale vetëm pas njohjes finale të Kosovës. Letrat e dërguara pesë shteteve për mosnjohje duhet të tërhiqen”, tha Kurti.
Lidhur me këtë, Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në KDI, thotë për Gazeta Blic se këto kushte janë më shumë përpjekje për ta zhvendosur presionin ndërkombëtar mbi palën tjetër.
“Kushtëzimi gjashtë-pikësh i kryeministrit Kurti për themelimin e Asociacionit është më shumë përpjekje e tij për zhvendosjen e presionit të madh ndërkombëtar mbi palën tjetër, si dhe paraqitjen e Kosovës si palë konstruktive”, thotë ai.
Por, Cakolli vlerëson se ky kushtëzim nuk do të arrijë ta zhvendosë edhe në realitet themelimin e Asociacionit, andaj do të kërkohet diçka më konkrete nga Kurti.
“Sidoqoftë, marrë parasysh deklarimet e emisarëve të dialogut, në veçanti atyre të SHBA-ve, vlerësoj që ky kushtëzim nuk do të arrijë ta zhvendosë edhe në realitet themelimin e Asociacionit pas arritjes së një marrëveshje mes palëve. Prandaj, sado hap i mirë, qasja e kryeministrit besoj që do të kërkohet që të pasohet nga diçka më konkrete – që mund të jetë ndonjë draft i statutit të Asociacionit, e i cili pastaj do të mund të negociohet në kuadër të dialogut”, thekson ai për Gazeta Blic.
Sipas tij, është me rëndësi pajtueshmëria e ndërkombëtarëve që Asociacioni nuk do të lejohet të shndërrohet në Republikë Serbe, si dhe që i njëjti të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“E rëndësishme në këtë fazë është ekzistimi i një lloj pajtueshmërie të gjerë në mesin e aleatëve amerikanë, britanikë, por edhe atyre evropianë, që Asociacioni nuk do të lejohet të shndërrohet në Republikë Serbe, si dhe që i njëjti të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, vlerëson Cakolli.
Sa i përket ndryshimit të qëndrimit të Kurtit për Asociacionin, ai thotë se ka qenë i pritshëm deri diku, duke marrë parasysh presionin e jashtëzakonshëm ndërkombëtar dhe 6 kushtet e tij janë mënyrë për ta përgatitur opinionin publik për formimin e Asociacionit.
“Ndryshimi esencial i qëndrimit të kryeministrit Kurti mbi çështjen e Asociacionit ka qenë deri diku i pritshëm, marrë parasysh rrethanat dhe presionin e jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Madje, edhe vet ky kushtëzim gjashtë-pikësh mund të jetë mënyrë tjetër e kryeministrit për ta parapërgatitur opinionin publik, e veçanërisht përkrahësit e tij, për situatën potenciale kur ai vet do ta themelojë Asociacionin”, deklaron Eugen Cakolli.
Ndërsa, analisti politik, Halil Matoshi, thotë për Gazeta Blic se kushtet janë të vitit 2015 dhe se Kurti është në siklet që ta ndryshojë emrin e “Zajednicës”, për ta shitur te votuesit e tij.
“Asgjë e re. Kushtet janë po ato të 2015. Kurti është në siklet si ta arrijë ndryshimin e emrit të “zajednicës” për me e shitë tek zgjedhësit e tij: “Që e rinegociova dhe nuk është më Zajednica e regjimit të vjetër”, sepse përmbajtja fare nuk i intereson, ashtu siç nuk i intereson fare mbijetesa e shtetit kosovar!?” deklaron Matoshi./Gazeta Blic/


