Sporti

Leite Kaka për GazetaBlic Sport: Goli ndaj Interit në derbin e vitit 2003 do mbetet gjithmonë në zemrën time

02/02/2023 15:49
nga:Lorik J

Leite Kaka është një nga futbollistët më të mirë që ka luajtur ndonjëherë për skuadrën italiane, AC Milan.

Në vitin 2007, pas paraqitjeve mbresëlënëse me Milanin, ku fitoi Ligën e Kampionëve, fitoi poashtu edhe çmimin më të madh individual në planet në sportin e futbollit. Braziliani u shpall futbollisti më i mirë në botë në vitin 2007, pra duke fituar kështu “Topin e Artë”.

Natyrisht, Leite Kaka momentet më të mira në karrierë i kishte me skuadrën italiane, pasi fitoi Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube.

Kur përmendet Milani, të gjithë tifozët e futbollit përveç se kujtojnë triumfet e lavdishme që kjo skuadër kishte në historinë e tyre, poashtu kujtojnë edhe derbin e qytetit ndaj Interit, që është një ndër më të mirët në futbollin evropian.

Leite Kaka për ‘GazetaBlic Sport’ ka rrëfyer momentin më të mirë të tij në këtë derbi, i cili ndryshe njihet si “Derby Della Madoninna”.

“Çdo derbi ishte i veçantë, por sigurisht, momenti që do ta kujtoj gjithmonë ishte goli im i parë me fanellën e Milanit në derbi në vitin 2003. Shënimi i një goli në San Siro ishte gjithmonë i veçantë, por të kesh mundësinë të shënosh para tifozëve tanë në derbi ishte një moment që do ta mbajë në zemrën time përgjithmonë”, tha Leite Kaka për ‘GazetaBlic Sport’.

Ky derbi i madh i qytetit të Milanit do të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 20:45. Braziliani, tashmë i pensionuar nga futbolli thotë se do ta shikojë këtë ballafaqim, teksa shpreson shumë se “Rossonerët” do jenë triumfues ndaj “Nerrazzurëve”.

“Çdo parashikim i derbit është i pamundur. Çdo gjë mund të ndodhë. Unë do të shikoj dhe do ta mbështesë Milanin dhe shpresoj shumë se do ta fitojmë këtë takim”, përfundoi Kaka.

Kaka në karrierën e tij për Milanin kishte 223 paraqitje në dy periudha kohore. Fillimisht ai luajti nga viti 2003 deri në vitin 2009, ku në 193 ndeshje shënoi 70 gola. Më pas ai u rikthye sërish në klub, ku gjatë sezonit 2013–2014, kishte 30 paraqitje e 7 gola.

Në përgjithësi në karrierë, Leite Kaka ka 461 paraqitje në skuadrat si: Sao Paolo, Milan, Real Madrid dhe Orlando City.

/GazetaBlic Sport/ Lorik Jashanica