Lajme

“Kosova po zbrazet”/ Ekonomistët flasin për koeficientin: Eksperiment i Qeverisë, këta sektorë u goditën

02/01/2023 21:57
nga:G B

Qeveria e Kosovës ka caktuar sot 105 vlerën e koeficientit të pagave.

Për këtë ka pasur reagime të shumta nga opozita e shoqëria civile, që e kanë kritikuar vlerën e koeficientit.

Të ulët e kanë quajtur këtë koeficient edhe ekonomistët.

Safet Gërxhaliu, ish kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë për Gazeta Blic se është paradoksale që të miratohet një ligj i tillë me shpejtësi dhe të ratifikohet ashtu nga presidentja, e po ashtu brengosëse është edhe mbajtja e fshehtë deri tani e koeficientit.

“Është e vërtetë që viti 2022 do të mbahet mend që ka munguar një dialog i mirëfilltë në partneritet në rend të parë publiko-privat, në rend të dytë nuk ka pasur debat të mirëfilltë në mes të pozitës dhe opozitës, fundi të gjitha kanë qenë një shkëputje evidente, e para, mos komunikimi i nivelit qendror dhe atij lokal dhe e dyta, e aktivizimit, që ka të bëjë me administratën publike apo ministrinë e punës me odat ekonomike apo sindikatat. Në këtë drejtim vërtet është paradoksale të miratohet një ligj i tillë me shpejtësi, kur dihet sa i rëndësishëm është Ligji i Pagave në administratë, e dyta shpejtësia e nënshkrimit apo ratifikimit nga presidentja dhe vet fakti që, që sa kohë është mbajtur fshehtë koeficienti, janë diçka që vërtet duhet të na brengosin”, thotë ai.

Sipas Gërxhaliut, është pritur që koeficienti të jetë më i lartë dhe nga ky koeficient i caktuar janë goditur tri segmente.

“Në këtë drejtim, besoj që është një koeficient që them të drejtën e kam pritur që do të jetë shumë më lart dhe mendoj se do  të sjell pakënaqësi, dhe mbi të gjitha janë tri segmente të goditura. Në rend të parë është segmenti i sigurisë, në rend të dytë segmenti i shëndetësisë dhe mjekësisë dhe në këtë drejtim besoj që në njëfarë forme është mbështetur sektori i arsimit, edhe pse besoj tentativa për t’i nivelizuar pagat, që të gjithë sektorët ta kenë nivelin e barabartë të pagave është një qasje e gabuar. Jemi dëshmitarë në dhjetor të vitit 2022, për krizën në veri dhe shpëtim e mbrojtje kanë qenë mu te Policia e Kosovës, e cila ka qenë në kushte mjaft të vështira, dhe në këtë drejtim besoj që kjo tentativë për të nivelizuar çdo gjë është e gabuar, duhet të ketë kritere, duhet të ketë indikatorë dhe sipas rëndësisë së sektorit, jepet edhe paga. Por, ajo çka është më shqetësuese se fakti tjetër është që një ndër indikatorët më dështues viteve të fundit në Kosovë është sundimi i rendit dhe ligjit dhe në qoftë se nivelet më të lartë të drejtësisë, prokurorë, gjykatës, do të thotë u ulet paga, janë të goditur në këtë mënyrë, besoj që është një demotivim për ta dhe një eksperiment që në të ardhmen e afërt Kosovës do t’i kushtojë shumë”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Se si duhet të veprohet nga ata që po e kundërshtojnë koeficientin dhe mundësinë e dërgimit në Kushtetuese, Gërxhaliu thotë se Kosovës nuk i bën nder që çdo ligj të dërgohet në Kushtetuese.

Por, ai thotë se kjo dëshmon që po luftohet për pushtet dhe jo shtet e qytetarë dhe me këtë eksperiment që e ka bërë Qeveria, Kosova do të zbrazet.

“Duhet të kuptohet që nuk i bëhet nder Kosovës që çdo ligj që miratohet në Parlament të dërgohet direkt në Gjykatën Kushtetuese, në rend të dytë, kjo e  dëshmon mungesën e unitetit në Parlament të Kosovës, në rend të tretë, sot shumë më tepër po ndryshohen interesat e partive politike se të qytetarëve, në rend të katërt, është një luftë për pushtet dhe jo për shtet dhe qytetarë dhe në këtë drejtim po humb kohë dhe po eksperimentohet me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës dhe po harrojnë këta që po eksperimentojnë me këto ndjenja që nuk e kuptojnë të vërtetën e hidhur që Kosova po zbrazet dhe besoj që është koha kur duhet të reflektohet sepse në këtë mënyrë, me këtë demotivim, me këtë eksperimentim vërtet shumë pak kush do të jetojë e do të besojë në ardhmërinë e Republikës së Kosovës”, deklaron Safet Gërxhaliu.

Ndërsa, ekonomisti Jakup Bellaqa, thotë për Gazeta Blic se duhet përshëndetur ky koeficient për një periudhë afatshkurtër.

“Vlera e koeficientit e Ligjit të Pagave në vlerë prej 105 euro, duke marrë parasysh rrethanat ekonomike në të cilën gjendemi si shoqëri ekonomike dhe duke marrë parasysh se jemi më shumë shoqëri konsumuese se sa prodhuese dhe ka më shumë import se sa eksport, që do të thotë se për këtë periudhë afatshkurtër, pra për ketë vit duhet të përshëndetet dhe është e mirëseardhur dhe e rritë konsumin dhe fuqinë blerëse dhe krijon parakushte dhe kushte për një trend zhvillimor pozitiv”, vlerëson ai.

Mirëpo, ai thekson se në periudhë afatmesme ose afatgjatë duhet të rritet vlera e koeficientit.

“Por, në aspektin kohor afatmesëm dhe afatgjatë duhet të rritet vlera e koeficientit, në mënyrë që të rritet mirëqenia ekonomike dhe sociale, por duhet të theksohet se përherë të parë Kosova ka një Ligj të Pagave dhe do të thotë se pagat tash e tutje janë të rregulluar dhe të garantuar me ligj që krijon një siguri ligjore dhe pagat janë të mbrujtur me ligj”, deklaron Jakup Bellaqa./Gazeta Blic/