Lajme

Mehmeti, i pakënaqur, nuk e di arsyen që e la jashtë listës për guvernator të BQK-së

02/01/2023 17:20
nga:G B

Fehmi Mehmeti nuk figuron në mesin e katër emrave që iu dërguan Kuvendit të Kosovës për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.

Përpos kësaj informate, ky nuk ka asnjë njohuri tjetër pse nuk u përzgjodh nga paneli i BQK-së, i cili vlerësoi që në garë për postin të mbesin, Ahmet Ismajli, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu dhe Shkendije Himaj.

Pikët e katërshes u publikuan të mërkurën, por jo edhe të Mehmetit që mbeti jashtë listës.

“Është dita e shtatë, kur prej te enjtes së kaluar, më 26 janar, si e kanë publikuar listën e ngushtë kam kërkuar shpalosjen e të gjitha dokumenteve relevante siç kërkohet me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike dhe sot është dita e shtatë që nga BQK nuk më kanë shpalos pikët e mia dhe arsyen pse nuk kam ecë tutje”, theksoi Mehmeti për “Front Online”.

Mehmeti, që aktualisht mban postin e Guvernatorit, ka dyshimet e veta se pse po i bëhet kjo.

“Konsideroj se derisa hezitohet shpalosja e informatave, e dinë që kjo paraqet pengesë që unë të ankohem në Gjykatë. Kam kërkuar vendimin mbi të cilin nuk jam zgjedhur për të vazhduar tutje. Akoma s`jam pajis me të”, deklaroi Mehmeti për “Front Online”.

Sapo kjo të ndodh, ky për procesin do t`i drejtohet organeve të drejtësisë.

“Gjithsesi do të ankohem në Gjykatë kur ta marrë vendimin”, pohoi Mehmeti për “Front Online”.

Sa i përket pikëve të kandidatëve tjerë për guvernator të Bankës Qendore të Kosovës, ish drejtori i Thesarit Ahmet Ismajli është vlerësuar me pikë maksimale prej 35,3.

Nexhat Kryeziu nga paneli është vlerësuar me 34 pikë, kandidati tjetër Lulzim Ismajli nga paneli është vlerësuar me  33 pikë, derisa Shkëndije Himaj nga paneli intervistues i BQK-së është vlerësuar më pikë minimale, gjithsej 26.

Vlerësimi i panelit të BQK-së është krejtësisht tjetër me vlerësimin që ka bërë Ambasada Britanike.

Shkëndije Himaj ishte më e vlerësuar nga Ambasada britanike në intervistën e realizuar në kuadër të pozitës për guvernatore të Bankës Qendrore të Kosovës.

Himaj ka marrë 32 pikë nga 40 pikët e mundshme.