Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi Qeveria ka publikuar koeficientin prej 105 euro për Ligjin e Pagave.
Abdixhiku tha se Qeveria me një vendim të tillë ka treguar pandjeshmëri ndaj qytetarëve në kohën e krizës më të madhe ekonomike.
“Koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publik. Është braktisje e njerëzve të vendit; që shkakton braktisjen e tyre të vendit” shkruan Abdixhiku.
Ai tutje ka theksuar se LDK-ja ka propozuar koeficientin prej 125 dhe se një propozim të tillë do ta dërgojnë si amandament në Kuvend.
“Një qeveri të shpërputhur nga realiteti, vendi ynë nuk e meriton. Kosova meriton më mirë, Kosova mundet më shumë” shkruan Abdixhiku raporton Gazeta Blic.
Reagimi i plotë:
Koeficienti i zbrazjes së Kosovës!
Në krizën më të madhe ekonomike e sociale ndër vite, Qeveria sërish tregoj pandjeshmëri. Pandjeshmëri ndaj përballjes qytetare, ndaj rritjes së kostos së jetesës, ndaj vet njerëzve të këtij vendi.
Koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publik. Është braktisje e njerëzve të vendit; që shkakton braktisjen e tyre të vendit.
LDK-ja ka propozuar koeficient në vlerë prej 125. Gjithçka më pak se aq është ulje e pagave për disa e mosrritje për të tjerët. Është injorim i inflacionit e kushteve të rënduara të jetesës. Këtë propozim do të dërgojmë menjëherë edhe si amandament në Kuvend.
Një qeveri të shpërputhur nga realiteti, vendi ynë nuk e meriton. Kosova meriton më mirë, Kosova mundet më shumë!


