Lajme

Emërimi i drejtorit të ri, Kica-Xhelili: Rikapja e RTK-së

01/31/2023 18:19
nga:G B

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili ka thënë se me zgjedhjen e Rilind Gërvallës drejtor të RTK-së, teksa ka thënë se ai është donator i partisë në pushtet, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se i vjen keq që në atë pak fije shprese që kemi pasur në pak institucione që nuk po gjymtohen nga nepotizmi dhe politizimi, tani u ripërfshi edhe RTK-ja.

Postimi i saj i plotë:

Rikapja e RTK-së

Me procesin e përzgjedhjes së Bordit të ri të RTK-së jam marrë shumë, sikurse jam marrë me shkarkimin e Bordit të kaluar.

Ishte ndër proceset më konsumuese por më transparente asokohe. Proces tejet i vështirë, por me shpresën e vetme që ky Bord do ta bënte pikërisht atë që u munduam ta bëjmë ne gjatë përzgjedhjes: RTK-në ta mbanim të pavarur dhe të paanshme politikisht.

Nuk ishte aspak lehtë por ishte gati mision idealist për pavarësimin e RTK-së.

Dhe e bëmë – për aq sa zgjati.

Fatkeqësisht, sot Bordi i RTK-së zyrtarisht dështoi në këtë mision, duke e përzgjedhur si drejtor të televizionit donatorin e partisë në pushtet. Reagime për këtë përzgjedhje ka pasur edhe nga akterë ndërkombëtarë (Federata Evropiane e Gazetarëve).

Më vjen shumë keq, që në atë pak fije shprese që kemi pasur në pak institucione që nuk po gjymtohen nga nepotizmi dhe politizimi, tani u ripërfshi edhe RTK-ja.