Sporti

Duka: Do kisha marrë Mourinhon trajner po të kishin dhënë gjithë shqiptarët nga 2 euro

01/30/2023 11:40
nga:Lorik J

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ishte i ftuar në studion e emisionit “Ora Sport” në “Ora TV”. Armand Duka iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në panel, ku sigurisht nuk mungoi interesi për Kombëtaren.

Silvinjo është trajneri i ri i ekipit kombëtar dhe kreu i FSHF-së është pyetur në lidhje me pritshmëritë rreth brazilianit. Por Duka shprehet se nuk është trajneri çelësi i vetëm i suksesit.

“Nëse trajneri do të ishte shkopi magjik, Katari do të ishte kampion bote. Do të blinte më të shtrenjtin në botë dhe do të ishte kampion bote. Pres që trajneri të bëjë maksimumin që mund t’i japë një trajner një skuadreje.

Nuk pres që vetëm me Silvinjon… Se kishim marrë Murinjon. Kishim mbledhur shqiptarët të fusnin nga 2 euro dhe kishim marrë Murinjon ”, ka thënë Armand Duka.

Shkarkimet e trajnerëve në Shqipëri: “Në drejtim dhe në manaxhim çdo gjë është subjektive. Nisur edhe nga eksperienca ime me trajnerët e Kombëtares, nuk mund ta kërkosh direkt defektin te trajneri. Humb një ndeshje, hiq trajnerin. Por është mentaliteti jonë, ndoshta ai emocioni pas ndeshjes…“.

Skema me 10 ekipe e kampionatit: “Unë nuk mendoj që duhet të ndryshojë. Padyshim që gjërat ndryshojnë dhe zhvillohen në të ardhmen. Por tani nuk duhet të ndryshojë. Jo të gjitha skuadrat do të luajnë në “Abissnet Superiore”. Në Shqipëri luhet futboll, këtë vit organizohen 600 ndeshje në javë. Duhet të ndërtojmë skuadra më elitare dhe të vetëkonkurojnë për më lart. Çdo lloj skeme ka argumente pro dhe kundër. Unë mendoj që peshorja anon te kjo skemë. Ne kemi eksperimentuar me skema të tjera. Kjo skemë me 10 skuadra garanton më shumë kompeticion. Nuk ka tolerime ndeshjesh, sepse këtu asnjë ekip nuk ka asgjë të sigurt. Ku ka më shumë kompeticion, sigurisht do ketë lojtarë më të mirë. Kategoria e Parë duhet të ndiqet akoma më shumë. Nuk mund të flitet me emra, duhet të flitet me kontribute. Ke emra të mëdhenjë të futbollit botëror që nuk shihen më në skenë, në Angli, në Itali, gjithandej“.