Lajme

Bildt për propozimin evropian: Është një marrëveshje e drejtë për Kosovën dhe Serbinë

01/29/2023 22:11
nga:G B

Propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve, ish-kryeministri i Suedisë, dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, po e konsideron si një “ofertë të drejtë”.

Bildt, e ka cicëruar postimin e ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, i cili kishte cituar qëndrimin e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke u shprehur “nënshkruani marrëveshjen ose përballuni me pasoja”.

Sipas Bildt, marrëveshja e propozuar nga BE-ja do t’i lejonte që të dy vendet të ecnin përpara.

 


Ai thotë se nuk ka asnjë rrugë tjetër realiste përpara për asnjërën nga dy vendet.

“Është një marrëveshje e drejtë për Kosovën dhe Serbinë që është në tavolinë tani. Kjo do t’i lejonte që të dy të ecnin përpara, të përmbushin kërkesat e rëndësishme themelore të të dyve, por të shmangen nga kërkesat e tyre maksimale përkatëse. Thjesht nuk ka asnjë rrugë tjetër realiste përpara për asnjërin nga dy vendet”, shkroi ai.

Edhe diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, kishte thënë se propozimi franko-gjerman nuk përcakton një zgjidhje përfundimtare, por është një hap i rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, në këtë plan nuk ka njohje zyrtare diplomatike.

“Propozimi franko-gjerman nuk përcakton një zgjidhje përfundimtare, por është një hap i rëndësishëm i ndërmjetëm në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Nuk ka njohje zyrtare diplomatike, por sipas modelit të bashkëpunimit gjermano-gjerman, hapa të rëndësishëm duhet të ndërmerren në mënyrë pragmatike në normalizimi i ndërsjellë i marrëdhënieve”, ka thënë Petritsch.

Petrich tha se BE-ja dëshiron sukses në këtë vit sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.