Sporti

Pritet të largohet në verë nga PSG, kjo mund të jetë e ardhmja e Sergio Ramos

01/27/2023 13:29
nga:Mergim Rreci

PSG vijon të mendojë seriozisht për merkaton e verës dhe objektivi primar është Milan Skriniar.

Mbrojtësi i Interit, nga ana e tij, ka përgatitur gjithashtu terrenin e duhur për t’u transferuar gjatë verës në Paris, por kjo situatë mund të ndikojë drejtpërdrejt në shtëpinë e PSG-së.

Transferi i Skrianiar mund të jetë një lajm pozitiv për PSG-në dhe për tifozët, por jo për disa lojtarë, ose më saktë për njërin në veçanti.

Po flasim për Sergio Ramosin, i cili në mars do të mbushë 37-vjeç dhe e ardhmja e tij është ende në diskutim, kjo për faktin se ai tani ka hyrë në muajt e fundit të kontratës me kampionët e Francës.

Spanjolli ende nuk është ftuar nga drejtuesit për të diskutuar për të ardhmen dhe kjo mund të sjell një divorc të pashmangshëm në verë.

Ish-i i Real Madrid mbetet një emër që tërheq vëmendje, ndërsa mediet franceze bëjnë me dije se Ramos, nëse nuk gjen gjuhën e përbashkët me PSG-në, do të mbyllë aventurën edhe në Kontinentin e Vjetër, pasi ai ka disa oferta nga Amerika, edhe pse Ramos nuk e ka konfirmuar diçka të tillë.

Ramos deri më tani numëron 39 ndeshje dhe ka realizuar edhe 3 gola që nga vera e vitit 2021, kohë kur u largua nga Real Madrid dhe LaLiga.