Marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës që po propagandohet do të jetë një marrëveshje “që paraqet një betejë të veçantë për serbët e Kosovës, sepse nëse nuk e zgjidhim tani mbrojtjen e të drejtave kolektive të serbëve të Kosovës, nuk do të mund ta bëjmë këtë as në vijim, tha sot koordinatori i Grupit Punues të Konventës Kombëtare të Bashkimit Evropian për Dialog mes Beogradit dhe Prishtinës, Dragisha Mijaçiq, shkruan GazetaBlic.
Mijaçiq, gjatë panelit të Konventës Kombëtare “Propozimi gjermano-francez për një marrëveshje për normalizimin – shumë zhurmë për çfarë?!”, deklaroi se marrëveshja e lartpërmendur është shpallur si marrëveshje e përkohshme, hap i ndërmjetëm dhe jo final, që do të zgjidhë marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës”.
“Marrëveshja përfundimtare do të zyrtarizohet përmes hyrjes së Serbisë në BE, kur do të kërkohet njohja zyrtare e Kosovës nga Serbia. Megjithatë, pas kësaj marrëveshjeje do të mbetet vetëm pika që Serbia ta njohë Kosovën. Pavarësisht se kjo nuk është Marrëveshje përfundimtare dhe lë mundësinë që politikanët në pushtet dhe në opozitë të flasin për vijën e kuqe të Serbisë për të mos njohur Kosovën, gjithçka tjetër është pjesë e saj”, tha Mijaçiq.
Ndër të tjera ai ka thënë se marrëveshja e përmendur franko-gjermane synon edhe të krijojë elemente që “Sllovakia, Greqia dhe Rumania ta njohin Kosovën”.
“Nuk e dimë se si do të reagojnë Spanja dhe Qiproja, por këto tre shtete (Sllovakia, Greqia dhe Rumania) presin që Kurti dhe Vuçiq të shtrëngojnë duart dhe ato do ta njohin Kosovën”, tha Mijaçiq, përcjellë GazetaBlic.


