Sporti

Vazhdojnë lajmet e këqija për Milanin, Tomori pritet të mungojë në derbin ndaj Interit

01/25/2023 14:47
nga:Mergim Rreci

Milani humbet Fikayo Tomori, i cili doli nga loja gjatë pjesës së parë në ndeshjen kundër Lazios. Ekzaminimet mjekësore nxorën në pah dëmtimin e muskulit të kofshës së majtë.

Pas 7 ditësh do të bëhet një vlerësim i ri, por thuajse me siguri Tomori do të detyrohet të humbasë derbin me Interin të planifikuar për datën 5 shkurt.

Lajm i keq për 25-vjeçarin, por nga ana tjetër ka sinjale pozitive nga dy mbrojtësit e tjerë: asgjë serioze për Kalabrian, i cili ka marrë thjesht një goditje në pulpë, ndërsa Theo Hernandez duhet të kthehet me grupin nga e enjtja.

Tomori, edhe pse nuk po kalonte një moment të mirë të formës, është ende një element kryesor i skuadrës, një nga sekretet e ecurisë së pabesueshme të sezonit të kaluar.

Një humbje e rëndë në një moment vërtet të komplikuar: me humbjen në Superkupë, të eliminuar nga Kupa e Italisë dhe shumë larg Napolin kryesues në Serinë A, gjithçka që i mbetet Milanit është të luajë shanset më të mira në Champions League dhe të fitojë një vend në top-4 me çdo kusht. Objektivi i fundit, që deri para nja dy javësh dukej i blinduar, tashmë është në rrezik të madh.

Për Tomorin ky është dëmtimi i tretë në kofshë në karrierën e tij: i pari në 2019/2020, kur luante te Chelsea, i dyti vitin e kaluar me Milanin dhe i treti dje, në “Olimpico”, kundër Lazios.