Robin Krasniqi ka vendosur të kthehet përsëri në ringun e boksit.
Boksieri shqiptar do të jetë pjesë e natës së madhe të boksit “Hazrolli Boxing Gala”, që do të mbahet më 25 shkurt në “Audi Dome Munich”.
Krasniqi ka njoftuar se do të përballet me boksierin , Timur Nikarkhoev. Ai është një boksier profesionist, duke qenë tre herë kampion i Belgjikës. Ai ka 26 fitore, poashtu edhe 4 humbje. Ai ishte kampion bote për të rinjt në WBC. Nga 26 fitore, 16 prej tyre i ka të fituara me nokaut, kurse poashtu edhe 3 nga 4 humbjet i ka pësuar me nokaut.
Në një prononcim ekskluziv për ‘GazetaBlic Sport‘, Timur Nikarkhoev tha se është i emocionuar që do të përballet me boksierin shqiptar, si dhe pati vlerësim maksimal për shqiptarët në përgjithësi.
“Për faktin se e kam pranuar këtë ofertë për luftë, atëherë natyrisht se besoj se do të fitoj. Krasniqi është një boksier shumë i njohur në botën e boksit, respekt i madh për të dhe fansat e tij, ai e meriton. Kjo përballje është vetëm një plus i madh për mua të provoj veten me kundërshtar të fortë, do të dal nga kjo luftë në të gjitha rastet një person tjetër. Nuk ka asgjë personale në këtë përballje, unë kam shume shokë shqiptarë dhe i ftoj të gjithë shqiptarët të vijnë të mbështesin bashkatdhetarin e tyre“, tha Nikarkhoev për ‘GazetaBlic Sport’.

/GazetaBlic Sport/


