Lajme

Shkëlzen Maliqi: Të bëhet Asociacioni, Kosova mund të ndëshkohet prej nervozes së ndërkombëtarëve

01/23/2023 14:58
nga:N M

Presionet e ndërkombëtarëve ndaj kryeministrit Kurti për formimin e Asociacionin e Komunave Serbe po vazhdojnë. Këtë herë i dërguari i posaçëm i ShBA-ve për dialogun Kosovë -Serbi, Gabriel Escobar tha se “Kurti nuk ka nevojë të pajtohet me këtë, Kosova është pajtuar”, duke shtuar se “ne do ta bëjmë këtë duke gjetur partnerë”.

E për këto deklarata njohësi i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi në një prononcim për Periskopin tha se kjo është një ‘pjesë e lojës’.

“Escobar ka thënë se duhet të krijohet deshëm ose s’deshëm sepse është obligim i marrëveshjeve të mëhershme dhe në ato marrëveshje në total i ka pranuar edhe kryeministri Kurti me këto deklarata e fundit. Kështu që kjo është një pjesë e lojës dhe nuk është në pyetje më se a do të krijohet apo jo Asociacioni, por cilat do të jenë kompetencat që do t’i ketë dhe aty për momentin i kemi interpretimet e ndërkombëtarëve të favorshme se ata thonë se nuk do t’i ngjajë një republika serbska, d.m.th. shtet në veti nuk lejohet të bëhet”, tha Maliqi.

Maliqi thekson se mobilizimi i ndërkombëtarëve është më i fortë se asnjëherë më parë, duke shtuar se Asociacioni duhet të formohet, “por pa kompetenca të mëdha që mund ta bllokojnë shtetin e Kosovës”.

“Presioni më shumë momentalisht është te Serbia sepse hapat që i ka marr Serbia janë shumë më radikale se ato që i ka provokuar kryeministri Kurti me ato lëvizjet e veta të targave…

E kemi një mobilizim shumë të fortë të faktorëve ndërkombëtarë, asnjëherë se kemi pasë kaq të madhe. Rusia më nuk është faktor që me pengu, kështu që Serbia duhet të deklarohet shumë shpejtë. Besoj që asociacioni duhet të krijohet, por pa kompetenca të mëdha që mund ta bllokojnë shtetin e Kosovës”, shtoi ai.

Tutje njohësi i çështjeve paralajmëron se Kosova mund të ndëshkohet pas nervozës të ndërkombëtarëve të cilët po përgatiten ta ndëshkojnë Serbinë.

“Tash i kemi pasë disa organizata që e kanë bë statutin. Problem është me bë një statut dhe me propozu atje dhe mandej me diskutu me grupet punuese mes dy partnerëve me çu atje te vendi ku po bëhet dialogu dhe me thënë që ky është një propozim-statut a keni vërejte a s’keni vërejte, kjo është një gjë e thjeshtë.

E kemi pasë një statut që atëherë u bë nami rreth atij, para tetë vjetëve që ka qenë dhe u refuzua ajo edhe pse ka qenë instruksion i qartë i gjykatës kushtetuese. Statusi duhet të bëhet, por për çdo 23 pika kemi vërejte që munden me u keqinterpretuar, nuk kanë thënë që nuk bën, por duhet me pas kujdes në formulime. Jemi në një situatë kur faktorët ndërkombëtar prej nervozave që i kanë munden me na ndëshku edhe neve si Serbinë që po përgatiten me ndëshku”, tha Maliqi.

Escobar për Asociacionin: Kurti s’mund të shmang një detyrim ndërkombëtar

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të premten gjatë një interviste për Zërin e Amerikës tha se Kurti nuk mundet t’i shmanget një detyrimi ndërkombëtar dhe se Asociacioni duhet të formohet.

“Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit. Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave, apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese. Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë. Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare e pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë”, kishte thënë Escobar.