Analisti politik, Gazmir Raci, ka thënë se deklarata e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, të bërë ditë më parë në lidhje me 5-vjetorin e vrasjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, nuk është e vetmja.
Raci tha se Kurti më herët ka folur edhe për rolin e Ivanoviqit dhe për dëmtimin e Kosovës që i është bërë me vrasjen e tij nga serbët, teksa përmendi edhe kohën kur Qeveria Haradinaj në vitin 2018 mbante një minutë heshtje në mbledhjen e qeverisë.
“Ose e kemi ish-presidentin Thaçi në një intervistë ku thotë që me vrasjen e tij është tentuar që të dëmtohet imazhi i Kosovës dhe pikërishtë edhe Kurti tenton të flet për këtë çështje dhe provon që të thotë të kundërten, të thotë që ky person për shkak se ka pasur mendime të kundërta me nomenklaturen aktuale në Serbi është vrarë se ka qenë njëri ndër zërat e vetëm opozitar serb në Kosovë që tash e kemi vetëm Trajkoviqin”, është shprehur Raci në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se deklaratën e Kurtit e ka parë në drejtim të demaskimit të siç e quajti ai, regjimit të Vuçiqit e Daçiqit që sipas tij, vrasjen e Ivanoviqit kanë tentuar t’ia mveshin shqiptarëve të Kosovës.


