Ish-zëvendës ambasadori i Kosovës në Gjemani, Blerim Canaj, ka kritikuar qasjen e Qeverisë Kurti karshi ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin është raportuar se është përfshirë në shpërlaje parash në shtetin slloven.
Madje Canaj ka thënë se është kureshtar të dijë se kush e takon sot ambasadorin Berishaj siç tha ai, pas gjithë këtyre skandaleve.
“Jam shumë kureshtar ta di se kush e takon sot Martin Berishajn. Jam shumë kureshtar ta di sa takime të rëndësishme është në gjendje sot me aferat e tij t’i organizojë Martin Berishaj. Por nuk është vetëm Martin Berishaj… Nuk e di a ka më skandale, por tash po flas nëse Martin Berishaj e ka skandalin të tjerët sa e kanë kompetencën”, tha ai.
I ftuar në Tëvë1, Canaj tha se po të kishte qenë ndonjë ambasador tjetër në Qeverinë Kurti në vend të Martin Berishajt deri tash do të ishte shkarkuar, e kjo sipas tij, ka të bëjë me dyshimet e lidhjes së Berishajt me kryeministrin Kurti.
“Po të kishte qenë një ambasador tjetër a thu do të ishte shkarkuar deri tash në Qeverinë Kurti, po të kish qenë një ambasador i karrierës, psh i cili nuk e ka vendosë Kurti a do të ishte shkarkuar deri tash. Po iu garantojë jo që e kishin shkarku por edhe e kishin bërë blozh, pse Martin Berishaj ‘spo shkarkohet. Le të vazhdojnë le t’i besojnë mirëpo shtetit po i hiqen njohjet, e këta le të vazhdojnë t’i besojnë Berishës, e pse i besojnë atë se di nuk dua të spekuloj”, tha ai.
Ndryshe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz ka thënë se nuk mund ta shkarkojë një ambasador nga spekulimet e mediave, pasi ende nuk ka marrë konfirmim zyrtar nga shtetet ku ai dyshohet për përfshirje në skandal financiar se është duke u hetuar.
Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kërkuar që bashkë me rrjedhjen e parave të Martin Berishajt, të hetohen edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Donika Gërvalla-Schwarz.


