Sporti

“Kam pritur katër muaj për vërtetim të kontratës, drejtori tha s’kam kohë”, Sami Sermaxhaj ‘pezullon’ punën në FC Malisheva

01/17/2023 13:15
nga:Lorik J

Kryetrajneri i njohur kosovar, Sami Sermaxhaj ka pezulluar momentalisht punën e tij tek skuadra e Malishevës, shkak i mosdeponimit të kontratës së tij në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Sermaxhaj ka theksuar ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’ se nuk është duke shkuar në punë derisa kontrata e tij të deponohet në FFK.

Ai ka pritur qe katër muaj që një gjë e tillë t’i bëhet nga klubi kosovar, megjithatë drejtori sportiv, Kafexholli nuk ia ka mundësuar, andaj trajneri ka vendosur të mos të stërvisë lojtarët derisa të zgjidhet ky problem.

“Nuk më është deponu kontrata, nuk m’u ka vërtetu në FFK, kam biseduar për këtë me drejtorin, i cili më tha: S’kam kohë m’u marrë me këtë, kurse unë i thashë: Unë s’dua të punojë më pa u bërë një gjë e tillë”, tha fillimisht Sermaxhaj për ‘GazetaBlic Sport’.

“Pagesat ishin në rregull, pres m’u sqaru me kryetarin, se mendoj që problemi nuk ka qenë diçka me ekipin, por çasja jo e duhur. Kam prit katër muaj, ky është sinjal jo i mirë. Kam dëshiruar që të më deponohet para se të shkojmë në Turqi”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport