Sporti

Nostalgji për Dallkun, Dukagjini luan ndaj Vorskla Poltava në Antalia | Trajneri kosovar është legjendë e klubit ukrainas

01/16/2023 13:08
nga:Lorik J

Skuadra e Dukagjinit të Klinës ka udhëtuar drejt Antalias së Turqisë për të vazhduar fazën përgatitore.

Klubi i Armend Dallkut do të qëndrojë për disa ditë në Antalia – ku do të përgatitet për sezonin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll.

GazetaBlic Sport mëson se një nga ndeshjet miqësore që klubi i Dukagjinit do të luajë në Turqi është edhe ajo ndaj Vorskla Poltava, padyshim mjaft emocionuese për trajnerin kosovar të Dukagjinit, Armend Dallku.

Ish mbrojtësi shqiptar në të kaluarën ishte pjesë e Vorskla Poltava në Ukrainë, ku për 11 vite barti fanellën e këtij klubi dhe nga shumë persona shihet si legjendë e ekipit ukrainas.

Dallku ishte pjesë e këtij klubi nga viti 2005 deri në vitin 2016, ku kishte 292 paraqitje.

Tashmë i pensionuar nga futbolli profesionist, Dallku ka vazhduar karrierën si trajner, ku do të ballafaqohet me ish ekipin e tij.

Dukagjini dhe Vorskla Poltava do luajnë me 24 janar në Antalia të Turqisë.

/GazetaBlic Sport