Lajme

Musliu: Albin, na trego çfarë ke bërë për mërgatën përveç dështimeve

01/12/2023 12:55
nga:G B

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se për diasporën Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë më shumë se dështime, duke ua mbyllur Ministrinë për Diasporën, mbylljen e qendrave tregtare, mashtrimin me polisat e sigurisë, raporton Gazeta Blic.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria nuk i mbajti premtimet për mos mbajtje të premtimeve për ulje të biletave dhe prodhoi krizë në kohën kur ata vinin në Kosovë.

Ajo i ka thënë Kurtit që të tregojë se çfarë ka bërë qeveria për mërgatën.

Postimi i saj i plotë:

Gjatë vitit 2022, bashkatdhetarët realizuan 2.2 milionë vizita në Kosovë përgjatë të cilave ata shpenzuan 1.4 miliarda Euro.

Bashkatdhetarët tanë vazhdojnë të mbesin po të njëjtit që kanë qenë gjithmonë, mbështetës, të dashur ndaj familjes dhe atdheut.

Por çfarë bëri qeveria e Republikës së Kosovës për ta, përveç shumë dështimeve si:

Mbyllja e Ministrisë për Diasporën

Mbyllja e qendrave kulturore

Mashtrimi me polisat e sigurisë

Mos mbajtja e premtimit për uljen e biletave të

fluturimeve

Mbajtja peng e Ligjit për Diasporën dhe aktualizimi i tij vetëm në situata shantazhesh politike

Prodhimi i krizave politike në kohën kur ata më së shumti e frekuentojnë atdheun duke u shkaktuar shumë probleme gjatë udhëtimeve dhe duke ua rrezikuar edhe jetën.

Sot Kosova e qeverisur nga Albin Kurti atyre nuk ua ofron as shërbimin obligativ dhe minimal, pajisjen me dokumente personale. Dhe tallet me ta duke kërkuar nga vendet evropiane që t´i pranojnë dokumentet e tyre të skaduara.

Prandaj, Albin mos na trego çfarë bëri mërgata jonë për këtë vend sepse ajo dihet, por tregona çfarë po bën qeveria që ti e udhëheq për Mërgatën.

Propaganda jote nuk do t´ia del kurrë që t´i mbulojë gënjeshtrat, mashtrimet, manipulimet dhe dështimet tua si person dhe si Kryeministër si në raport me Mërgatën si në raport me qytetarët në Kosovë.