Në takimin që pati me një grup të gazetarëve, ku ishte edhe përfaqësuesi i Gazeta Blic, Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se është urgjent krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke shtuar se SHBA-ja nuk mbështet aranzhmane që nuk janë në përputhje me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, apo me vendimet e saj, raporton GazetaBlic.
Sa i përket krizave të fundit në veri të vendit, Chollet tha se nuk dëshirojnë të shpenzojnë kohë me menaxhimin e krizave, por se dëshirojnë përparimin e Kosovës drejt integrimeve.
Sipas tij, është urgjente që Kosova të përfshihet në dialog, i cili është i përqendruar në njohjen reciproke, pra mbështetur në atë që Presidenti Biden ka theksuar në letrën e tij, se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke mes dy vendeve.
Chollet tha se gjatë takimeve të sotme ka parë dëshirë dhe vullnet nga Qeveria e Kosovës për tu përfshirë ne dialog dhe që të përvjel mënget që të punojë në këtë drejtim.
“Ne presim që Kosova të përmbush të gjitha obligimet e saj të dala nga dialogu, përfshirë këtu edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ne besojmë se kjo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, dhe mendojmë se ngjarjet e fundit vetëm sa kanë nënvizuar rëndësinë e themelimit të tij. Ne duhet të thyejmë qarkun e stagnimit, me mjete diplomatike dhe mendoj se ka ardhur koha që ne të fillojmë punën që na pret”, tha Chollet.
“Një nga porositë që po dërgojmë ne, si këtu, por gjithashtu edhe në Beograd, se ne dëshirojmë të përhapim energjinë tonë, energjinë diplomatike të SHBA-së, për të punuar drejt kësaj ardhmëria euroatlantike të Kosovës, dëshirojmë të shpenzojmë një pjësë më të vogël të kësaj energjie në menaxhimin e krizave. Prandaj porosia jonë këtu, porosia jonë në Beograd, është se nuk duhet të ketë akte provokuese, se duhet të synojmë deeskalimin, dhe të merremi me punën që kemi përpara dhe SHBA-ja është e përkushtuar që të kryej pjesën e saj të punës për të përkrahur këtë dialog të ndërmjetësuar dhe kryesuar nga BE-ja, për të hapur dhe ecur në rrugën përpara për ardhmërinë e Kosovës”, shtoi Chollet.
Gazeta Blic pas pak do ta publikoj transkriptin e plotë të Chollet me disa gazetarët nga mediat kryesore të vendit./GazetaBlic/
Qeveria jep detaje për takimin e Kurtit me delegacionin amerikan të kryesuar nga Derek Chollet