Robinho, një ish-reprezentues brazilian i cili u dënua në janar 2022 me nëntë vjet burg në Itali për shkelje seksuale kolektive, mund të jetë në proces rikthimi në futboll.
Robinho luajti ndeshjen e tij të fundit profesionale më 19 korrik 2020, duke luajtur për Basaksehir, nga Turqia. Që atëherë, ish-sulmuesi i Real Madridit, Manchester Cityt dhe Milanit, ndër të tjera, ka mbajtur formën fizike, duke marrë pjesë në seanca stërvitore me disa ish-lojtarë, përcjell GazetaBlic Sport.
Në janar të vitit të kaluar, Robinho, së bashku me një shok të tij, u dënua me nëntë vjet burg për pjesëmarrje në përdhunimin e një 22-vjeçareje shqiptare në vitin 2014, kur ai luante për Milanin. Madje drejtësia italiane kërkoi ekstradimin e ish-lojtarit, diçka që e ndalon kushtetuta braziliane, ndaj Robinho është i lirë në vendin e tij.
Tani, ai ka marrë kontakte nga Portuguesa Santista, një klub që luan në Kategorinë e 2-të të Kampionatit Paulista. “Ne folëm për mundësinë. Ai e ka këtë problem [me drejtësinë] dhe kemi bërë një bisedë sipërfaqësore. Nuk ka qenë propozim zyrtar dhe as nuk ka dhënë përgjigje zyrtare, por e ka marrë në konsideratë. Ai është një lojtar i madh. Kush nuk do të donte? Por ka një problem dhe shpresojmë që ai ta zgjidhë jetën e tij në pjesën ligjore. Ajo që ndodhi ishte një bisedë. Të kesh Robinhon do të ishte shumë mirë, por ishte vetëm në fushën e bisedës”, supozoi Emerson Coelho, nënpresident dhe drejtor i futbollit në klub, cituar nga UOL.
/GazetaBlic Sport/


