Policia e Kosovës (PK) njofton se janë arrestuar A.L dhe Sh.K., nën dyshimin për përfshirje në dy raste të vjedhjes së veturave në Gjakovë.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacioni Policor në Gjakovë, pas një pune intensive operative dhe hetimore ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë dy të dyshuar të përfshirë në dy raste të vjedhjeve të veturave, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në dhjetor 2022 nga Stacioni Policor në Gjakovë janë iniciuar dy raste për vjedhje të veturave në qytetin e Gjakovës. Me datën 05.12.2022 ishte vjedhur vetura OPEL Corsa, ndërsa me datën 22.12.2022 vetura VW Golf, raste të paraqitura nga pronarët e automjeteve. Me datën 07.01.2023 Stacioni Policor në Gjakovë kanë arrestuar të dyshuarit: 1. A. L., banues në fshatin Carrabreg-Deçan, i lindur në vitin 1992 (shtetas i Republikës së Kosovës) dhe 2. Sh. K., banues në fshatin Kishnarekë-Drenas, i lindur në vitin 1990 (shtetas i Republikës së Kosovës)”, thuhet në njoftim.
Sipas policies, të njëjtit dyshohen se ishin të përfshirë në kryerjen e veprës penale “Vjedhje” në dy rastet në fjalë.
Bëhet e ditur se në saje të hetimeve të zhvilluara, është arritur të gjenden dhe sekuestrohen edhe të dy veturat e vjedhura.
“Të gjitha veprimet hetimore të ndërmarra janë kryer në koordinim me Prokurorin e Shtetit, me vendimin e të cilit i dyshuari numër një është ndaluar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rast për vjedhjen e veturës, ndërsa ndaj të dyshuarit të dytë është iniciuar rast “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”. Veturat e sekuestruara iu janë kthyer ankuesve”, thuhet tutje.
A po e demanton Ambasadori i Somalisë Vuçiqin për “çnjohjen” e Kosovës


