Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi ka hedhur akuza ndaj Qeverisë ‘Kurti’ për mungesën e materialit të pasaportave dhe dokumentave të tjerë.
Halimi këtë e ka quajtur paaftësi të Qeverisë.
Ajo përmes një shkrimi ka thënë se kjo papërgjegjësi e Qeverisë po dëmton imazhin e Kosovës.
Tutje, zëdhënësja e LDK-së ka shkruar se para se të mësyjnë anëtarësimin në BE, Qeveria duhet t’i zgjidh problemet e tilla.
Postimi i saj i plotë:
Do të ishte komike po të mos kishte pasoja në rëndimin e jetesës së qytetarëve dhe bashkatdhetarëve tanë, si dhe në dëmtimin e imazhit të shtetit tonë, letra e Ministrit të Brendshëm drejtuar shtetit gjerman.
Përmes kësaj letre, ai i kërkon Gjermanisë që t’i lejojë qytetarët dhe mërgimtarët e Kosovës të udhëtojnë me pasaportë të skaduar deri në qershor 2023. Është e pabesueshme që një qeveri e tërë të mos mund ta zgjidh një problem kaq bazik për gati gjysmë mandati.
Shumë shtete kanë hasur në probleme me furnizim në shumë artikuj—përfshirë letrën që përdoret për shtypjen e pasaportave dhe dokumenteve tjera; mirëpo nuk kanë arritur në nivele të tilla paaftësie.
Pra, nuk është problemi te pandemia, por te paaftësia. Përveç pengesave në udhëtim për shtetasit tanë, kjo papërgjegjësi dëmton rëndë imazhin e Kosovës në sytë e një shteti mik si Gjermania. Para se t’ia mësyjë anëtarësimit në BE, Qeveria e Kosovës duhet të zgjidh probleme të tilla bazike, të shkaktuara nga paaftësia e kësaj të fundit.


