Qindra besimtarë ndoqën të premten teksa dhjetëra notarë nxituan të merrnin një kryq druri të hedhur nga një prift në ujë, në një ceremoni që shënonte Epifaninë pranë portit e Piraeus jashtë Athinës, shkruan Associated Press.
Festa e 6 janarit shënohet nga ceremonitë e bekimit të ujërave, gjatë të cilave notarët garojnë për të kapur kryqin lundrues.
Yannis Kaltsas, banor lokal, doli fitimtar pasi kapi kryqin në ngjarjen që shënonte pagëzimin e Jezu Krishtit.
Epifania, ose “Bekimi i Ujërave”, mbahet çdo vit më 6 janar dhe është festë publike në të gjithë Greqinë.
Veprimtaria tradicionale e hedhjes së kryqëzuar u mbajt sot edhe në vende të tjera anembanë botës, përfshirë Turqinë, Bullgarinë dhe Qipron.
Notarët besojnë se fati i mirë do t’u vijë kur të marrin pjesë në këtë zakon. Sipas traditës, personi që e merr kryqin prej druri do të çlirohet nga shpirtrat e këqij dhe do të jetë i shëndetshëm gjatë gjithë vitit.
Epifania shënon fundin e 12 ditëve të Krishtlindjes, por jo të gjitha kishat e krishtera ortodokse e festojnë atë në të njëjtën ditë.
Teksa kishat e krishtera ortodokse në Greqi, Qipro, Bullgari dhe Rumani ndjekin kalendarin e rishikuar Julian dhe e festojnë festën më 6 janar, kishat e tjera ortodokse lindore, duke përfshirë ato të Rusisë, Ukrainës dhe Serbisë, festojnë më 19 janar, ndërsa Krishtlindjet e tyre bien më 7 janar.




