Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka konfirmuar se ai nuk ka ndërmend të marrë një punë tjetër pas largimit nga gjiganti anglez për të paktën një vit, kurdo që të jetë kjo.
Klopp është te Liverpooli për më shumë se shtatë vjet, duke e bërë atë periudhën më të gjatë të karrierës së tij si trajner deri më tani, pas pak më shumë se gjashtë vitesh në Mainz dhe shtatë sezone të plota në Borussia Dortmund.
Më parë gjermani kishte paralajmëruar se do të largohej nga Liverpool në vitin 2024 në fund të kontratës së tij, por më pas vendosi të nënshkruajë kontratë të re në fillim të këtij viti deri më 2026.
“Nëse e përfundoj kontratën me Liverpool, atëherë asgjë nuk do të bëhet patjetër për një vit”, tha ai për “Bild”.
Klopp gjithashtu nuk e ka përjashtuar mundësinë që të bëhet trajner i Kombëtares së Gjermanisë përpara se të tërhiqet, punë me të cilën ai është lidhur rregullisht vitet e fundit.
“Nuk është plotësisht e përjashtuar që unë të jem trajner i kombëtares në një moment. Por duhet të përshtatet. Dhe deri më tani nuk ka ndodhur,” tha ai.
Në të kaluarën, Klopp ka konfirmuar planet e tij për t’u kthyer në Gjermani në një moment në të ardhmen, qoftë si trajner apo thjesht të gëzojë pensionin. Kjo ishte në vitin 2016, në të cilën pikë ai deklaroi gjithashtu synimin e tij për t’u pensionuar para se të mbushte 60 vjeç, që tani është vetëm katër vjet e gjysmë larg.
“Sigurisht që do të kthehem në Gjermani për të jetuar, por nuk e di nëse do të kthehem atje si trajner. Do të vijë dita kur do të them, ‘faleminderit, ishte një kënaqësi’”, tha Klopp për “RND” në atë kohë.
“Është shumë, shumë e pamundur që unë të qëndroj ende trajner kur të jem 60 vjeç. Dhe, nëse në fund të karrierës sime kam arritur të drejtoj vetëm Mainz, Dortmund dhe Liverpool, atëherë sigurisht që do të kenë qenë tre klube fantastike”, thoshte më tej Klopp.
Klopp do të ketë festuar ditëlindjen e tij të 59-të, kur kontrata e tij aktuale me Liverpoolin skadon në vitin 2026./


