I Dërguari i Posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, ka qëndruar sot për vizitë në Kosovë, ku është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Ambasada e Britanisë ka njoftuar se Peach ka mirëpritur përpjekjet për uljen e tensioneve në pjesën veriore të vendit derisa ka inkurajuar që serbët të integrohen në institucionet e Kosovës.
Ndërsa, nga Qeveria kanë bërë të ditur se në Kosovë për vizitë gjatë muajit janar do të vijnë edhe emisarët Lajçak, Escobar, Beaune dhe Plettner.
“Gjatë janarit të vijnë në Prishtinë emisari evropian Lajcak, ai amerikan Escobar, francez Beaune dhe ai gjerman Plettner, drejt një takimi të radhës të nivelit të lartë në Bruksel, për dialog për marrëveshje atje që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Lidhur me këto vizita, analisti politik Gazmir Raci, thotë se roli britanik në këtë fazë është shumë i rëndësishëm dhe jep garanci se temat e korrigjimit të kufijve kanë vdekur.
“Roli britanik është tepër i rëndësishëm në këtë fazë sepse ata ishin ndër të parët që dolën kundër korrigjimit të kufirit që pati filluar të diskutohet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe pjesëmarrja e tyre edhe në këtë fazë deri në finale jep garanci se temat e korrigjimit të kufijve kanë vdekur”, thotë ai.
Sipas Racit, nevojitet garanci ndërkombëtare për zbatimin e çfarëdo marrëveshje finale Kosovë-Serbi.
“Çfarëdo marrëveshje finale që mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë garanci ndërkombëtare për zbatim. Fuqitë e mëdha siç janë SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca por edhe Italia, duhet të jenë garantuesit kryesorë”, thekson analisti”, potencon ai.
Ai shton se vizitat e fundit konfirmojnë se marrëveshja finale duhet të afatizohet.
“Vizitat e fundit e konfirmojnë qëndrimin e palëkundur të Kryeministrit Kurti se marrëveshja finale duhet të afatizohet dhe se për këtë palët u pajtuan herën e fundit në ato dakordimet për targa”.
Raci vlerëson se Kosova ka bërë hapa pozitiv për t’i dhënë shpresë arritjes së marrëveshjes finale.
“Kosova ka bërë hapa pozitiv para për t’i dhënë shpresë arritjes së marrëveshjes finale deri në fund të pranverës por duket që Serbia ende vazhdon të mos jetë e gatshme për t’i njohur kufijtë e sotëm të Kosovës Republikë. Barrikadat në veri ishin tentim i Serbisë për të sabotuar fillimin e diskutimeve serioze për planin franko-gjerman apo që tashmë po quhet plani i Brukselit, plan që ka marrë mbështetje të fuqishme nga të gjitha shtetet anëtare në BE”, deklaron Gazmir Raci./Gazeta Blic/


