Trajneri i PSG-së, Christophe Galtier, beson se Lionel Messit do t’i rezervohet një pritje e mirë nga publiku në ndeshjen e radhës së parisienëve, në “Parc des Princes”. “Pleshti” fitoi për herë të parë në karrierë Kupën e Botës duke mposhtur në finale pikërisht Francën dhe shokun e skuadrës te Parisi, Kylian Mbappe.
Duhet të theksohet se Messi u prit me duartrokitje nga lojtarët dhe stafi i Parisit pasi u kthye nga Argjentina.
“Ështe e rëndësishme që ai u prit mirë në qendrën e trajnimit. Ishte pak i emocionuar për këtë pritje. Festë në Parc des Princes? Nuk ka nevojë për të festuar më tej. Ai është kampion bote dhe ne jemi shumë me fat që e kemi. Guxoj të them që tifozët do të festojnë në “Parc des Princes”, do ta duartrokasin, nuk ka pse të mos jetë kështu”, – tha Galtier në një konferencë për shtypin.
Më tej Galtier shpjegoi se “Messi u stërvit dje dhe sot, por nuk do të luajë nesër. Ne po sigurohemi që të jetë gati për ndeshjen e radhës. Do të jem shumë i vëmendshëm ndaj asaj që do të më thotë, por duam që ai të jetë i disponueshëm për ndeshjen e radhës me Angers”.


