Lajme

Qeveria për Gazeta Blic: Ligji i pagave ka koston e 745 milionë eurove, koeficientin e caktojmë këtë muaj

01/05/2023 10:12
nga:Genita C

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë se totali i përgjithshëm i buxhetit për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro.

Kryeziu në një prononcim për GazetaBlic, thotë se vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar.

“Me ligjin për Buxhetin e vitit 2023, që u miratua në dhjetor të vitit që lamë pas, kemi caktuar se totali i përgjithshëm i buxhetit për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro. Ndërkaq, vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tëresinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”, tha Kryeziu për GazetaBlic.

Ndryshe, ditën e djeshme Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar Ligjin e Pagave.

“Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, sot, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, Presidentja Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, po sot, më 4 janar 2023”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar në Presidencë.

/GazetaBlic/

Presidentja dekreton Ligjin e Pagave, por Qeveria vazhdon ta mbajë të fshehtë koeficientin