Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi se me heqjen e barrikadave nga veriu i Kosovës janë krijuar kushtet që të rifillojë dialogu me Serbinë.
Në një prononcim për GazetaBlic, Arifi thotë se është koha që Qeveria e Kosovës të ketë fokus më të madh në një strategji për veriun dhe komunitetin serb në Kosovë.
“Pas heqjes së barrikadave janë krijuar kushtet që të rifllojë dialogu, por Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në një strategji se si t’i çaset veriut dhe komunitetit serb që t’i ofrojë të drejta më shumë, por pa strukturë. Kjo do të ishte njëra nga strategjitë që do të duhet ta kishim edhe më herët”, tha Arifi.
Arifi është skeptik që të ketë marrëveshje finale Kosovë-Serbi në muajin mars.
Arifi tha se që kjo marrëveshje të arrihet gjatë muajit mars, është jashtëzakonisht e vështirë pasi siç thotë ai, SHBA-të dhe BE-ja nuk janë të qarta se çfarë marrëveshje duan.
“Dialogu duhet të rifillojë, por më shumë me BE-në dhe SHBA-në se si të arrihet deri tek ato të drejta pa e cenuar Kushtetutën. Marrëveshja finale është jashtëzakonisht e vështirë të arrihet deri në mars, sepse edhe perëndimi nuk po është i qartë se çka dëshirojnë nga marrëveshja finale. Dëshirojnë vetëm një pajtim të përkohshëm apo një pajtim gjithëpërfshirës, që i bie me njohje reciproke. Këtë gjë ende nuk e kemi të qartë”, tha Arifi për GazetaBlic.


