Lajme

Sukseset dhe dështimet gjatë vitit 2022/ Analistët kërkojnë riformatim të Qeverisë

01/02/2023 16:50
nga:G B

Zhvillime të shumta ka pasur në politikën e Kosovës gjatë vitit që lamë pas.

Qeveria thoshte se po bën punë të mirë, e opozita e kritikonte.

Lidhur me sukseset dhe dështimet e Qeverisë së Kosovës, analistët kanë dhënë vlerësimet e tyre.

Ish deputetja Shqipe Pantina, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se nuk kishte ndonjë sukses, por që vlen për t’u vlerësuar nisja e Vettingut dhe aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Për fat të keq ky vit nuk ka shënuar ndonjë sukses të qeverisë. Sidoqoftë, është për t’u vlerësuar fillimi i procesit të Vettingut dhe krijimi i komisionit parlamentar për këtë çështje. Po ashtu, edhe aplikimi në Këshillin e Evropës është hap pozitiv”, vlerëson ajo.

Sipas Pantinës, Qeveria ka dështuar në fushën e arsimit dhe shëndetësisë.

“Por, Qeveria ka dështuar qoftë në fillimin e reformave apo të bëjë sadopak ndryshim pozitive në fushën e arsimit e shëndetësisë, kemi pasur greva të punëtorëve të arsimit e protesta (ndonëse simbolike) të atyre të shëndetësisë”, thekson ish deputetja për Gazeta Blic.

Ajo tregon dhe dështimin më të madh të Qeverisë.

“Kurse, dështimi më i madh është në ekonomi, asnjë investim signifikant nuk është bërë dhe në procesin e dialogut me Serbinë ku kemi pasur kthim prapa. Në vend se të dialogohet për marrëveshjen përfundimtare që rezulton me njohje, qeveria jonë ka negociuar me Serbinë për çështje të brendshme si: targat, energjia e së fundi edhe heqja e barrikadave që ishin vendosur nga njerëz që i quanin grupe kriminale”, deklaron Shqipe Pantina.

Kurse, analisti politik, Gazmir Raci, thotë se ky vit ka pasur shumë sfida, por që shton se Qeveria ka përkrahur qytetarët.

“Viti 2022 ka qenë vit me shumë sfida, duke filluar nga lufta e paprovokuar në Ukrainë, që ndikoi në rritjen e inflacionit dhe prekjen e drejtpërdrejtë të jetës së përditshme të qytetarëve dhe zhvillimeve të gjithmbarshme në vend, duke prekur çmimet në secilin sektor të jetës. Pas daljes nga pandemia me Covid-19, problemi me inflacionin natyrisht e ka ngadalësuar shumë edhe punën e investimeve të drejtpërdrejta të qeverisë në projekte të mëdha infrastrukturore. Por, qeveria asnjëherë nuk është ndalur së përkrahuri shtresat më të prekura sociale, siç janë pensionistët, studentët, mësuesit, gratë dhe fëmijët. Për herë të parë shteti po kujdeset për nënën dhe fëmijët”, thekson ai.

Raci vlerëson se sfida më e madhe vazhdon të jetë dialogu me Serbinë.

“Sfidë e madhe ka vazhduar te jetë edhe dialogu i Brukselit me Serbinë, por askush nuk e ka paramenduar që Kosova ka lidership serioz që do t’i thotë JO për herë të parë mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë apo edhe të Referendumit të Serbisë, po ashtu në Kosovë. Strukturat paralele janë rifuqizuar nga Serbia e cila bëri shkelje flagrante të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013. Me atë marrëveshje, ajo është pajtuar që do t’i shuajë të gjitha strukturat paralele duke ua ndalur edhe rrogat, ajo jo që nuk i ka shuar por i ka futur në sistem të pagave edhe 500 serbë lokalë të Kosovës, të cilët u detyruan t’i lëshojnë vendet e tyre të punës sidomos në pjesën veriore”, potencon Raci për Gazeta Blic.

Më tej, ai përmend planin franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi.

“Viti 2022 solli ndryshim të qasjes në dialogun e Brukselit sepse për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe qasjes së re të Kosovës për këtë dialog erdhëm në situatë, kur Gjermania dhe Franca dolën me një propozim konkret për të finalizuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Ky propozim mori bekimin edhe të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, por edhe të SHBA-ve. Problemet teknike nga fazat e kaluara të dialogut janë ende pengesë për të ecur më shpejt drejt finales por po duket se Serbia ende nuk është e gatshme të ulet për të folur për planin franko-gjerman dhe përmes ndikimeve direkte dhe përkrahjes publike për barrikadat në veri po dëshiron të sabotojë finalen e madhe të Brukselit. Pasi që Serbia nuk është e gatshme për njohje, ajo duket që nuk është e gatshme as për të njohur dhe respektuar edhe integritetin territorial, sovranitetin dhe simbolet e Republikës së Kosovës, ashtu siç e thoshte edhe propozimi Franko-Gjerman”, potencon analisti.

Raci përmend ndikimin e Rusisë përmes Serbisë në Ballkan dhe Kosovë, teksa thotë se vetëm SHBA mund t’i bëjë ballë këtyre tendencave për konflikt.

“Nga gjitha këto zhvillime një gjë duhet të jetë të qartë, se për shkak të zhvillimeve të shpeshta gjeopolitike bashkërendimi më faktorin ndërkombëtarë sidomos me SHBA-të në këto momente është tepër i rëndësishëm sepse ndikimi direkt i Rusisë përmes Serbisë po ashtu është në rritje në Ballkanin perëndimor. Vetëm Aleanca strategjike me SHBA-të mund t’i bëjë ballë këtyre tendencave serioze të Serbisë dhe Rusisë për të bartur një pjesë të konfliktit potencial nga Ukraina në Ballkanin Perëndimor. Iniciativa e Berlinit po ashtu pati rezultatet e saja për këtë vit, përmes tre marrëveshjeve të reja pas një pauze të gjatë që pati kjo nismë rajonale”, deklaron ai.

Analisti thotë se në vitin 2023 Kosova duhet të nis reforma në drejtësi, shëndetësi, arsim e luftën kundër krimit e korrupsionit.

Po ashtu, Raci thotë se duhet reformatim i Qeverisë.

“Kosova në 2023 përpos dialogut të Brukselit ajo patjetër duhet të fillojë së zbatuari të reformave të nisura në drejtësi, luftën kundër krimit e korrupsionit, reformat në shëndetësi dhe arsim, etj. Këto reforma janë jetike për të ardhmen e këtij vendit dhe përgatitjen e vendit që një ditë sa më shpejt të jetë anëtare e denjë e familjes në Bashkimin Evropian. Ndoshta, Qeverisë së Kosovës për vitin 2023 i duhen energji të reja qeverisëse andaj edhe riformatimi i qeverisë në fillim të vitit 2023 do të mund të ishte sinjal pozitiv për të ardhmen e këtij vendi”, përfundon analisti Gazmir Raci./Gazeta Blic/