Lajme

Gjykata Kushtetuese hedh poshtë ankesën e Kadri Rahimaj ndaj Qendron Kastratit

12/30/2022 12:44
nga:N M

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi Aktgjykimin e rastit të parashtruar nga Komuna e Kamenicës, e cila, kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për “Kriteret dhe Procedurat e Themelimit dhe Pushimit të Veprimtarisë së Institucioneve të Arsimit Parauniversitar”.

Në vlerësimin e kushtetutshmërisë Gjykata, njëzëri vendosi që kërkesa është e pranueshme dhe pushimi i veprimtarisë së institucionit edukativ-arsimor ose paraleles së ndarë, të Udhëzimit Administrativ të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe si të tilla, shfuqizohen.

“Thelbi që ngërthejnë rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me kompetencat që i janë përcaktuar pushtetit qendror, përkatësisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në njërën anë, dhe pushtetit lokal, përkatësisht komunave në anën tjetër, përkitazi me themelimin e institucioneve edukative-arsimore dhe paraleleve të ndara në komuna, përmes Udhëzimit të lartcekur Administrativ. I njëjti, ndër tjerash, saktëson se vendimi për themelimin dhe pushimin e institucioneve edukative-arsimore dhe paraleleve të ndara të nivelit parauniversitar, merret nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, bazuar në propozimin e komunës përkatëse. Vendimmarrja në nivel të pushtetit qendror, përkatësisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përkitazi me themelimin/pushimin e institucioneve edukative-arsimore dhe paraleleve të ndara në nivel parauniversitar, sipas parashtruesit të kërkesës, cenon përgjegjësitë komunale, në kundërshtim me dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ato të ligjeve të aplikueshme për Arsimin Parauniversitar, Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës dhe për Vetëqeverisje Lokale, sipas të cilit, “ofrimi i arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, pagesën e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve dhe administratorëve të arsimit”, përbën kompetencë vetanake të komunave dhe si e tillë, është kompetencë e “plotë dhe ekskluzive” në nivel komunal”, thuhet mes tjerash në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj, ndaj pararendësit të tij Qendron Kastrati për tërheqje të lëndës së parashtruar.

Kushtetuesja ka vendosur ta shqyrtoj këtë lëndë pasi ka pasur bazë të mjaftueshme.

“Fillimisht dhe sa i përket pranueshmërisë së kërkesës, Gjykata sqaron se, pas parashtrimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Udhëzimit Administrativ të kontestuar nga Kryetari i Komunës së Kamenicës, z. Qëndron Kastrati, më 17 tetor 2021, respektivisht 14 nëntor 2021, pas zhvillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës, Kryetar i Komunës së Kamenicës u zgjodh, z. Kadri Rahimaj. Ky i fundit, përmes përfaqësuesit të tij, më 5 janar 2022, parashtroi në Gjykatë kërkesën për tërheqje të lëndës KO173/21, me arsyetimin se nuk ka interes juridik për shqyrtimin e saj.

Gjykata, bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe rregullin 35 (Tërheqja, hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së Punës, sipas të cilit, pavarësisht kërkesës për tërheqje, Gjykata mund të përcaktojë të vendosë përkitazi me kërkesën fillestare, fillimisht vlerësoi kërkesën e Kryetarit të ri të Komunës dhe vendosi të refuzojë të njëjtën, duke pasur parasysh interesin publik për vazhdimin e shqyrtimit dhe vendosjes meritore në rast, me theks në rëndësinë e qartësimit të pretendimeve për shkelje të parimeve kushtetuese lidhur
me vetëqeverisjen lokale”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Ngritët aktakuzë ndaj Haxhi Shalës