Anëtari i kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari, ka thënë se zëdhënësit e Bashkimit Evropian dhe Departamentit të shtetit e nxorrën në shesh “mashtrimin e Kurtit”, lidhur me vendimin për ish-policin serb, Dejan Pantiq, të cilit iu zëvendësua masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.
“Zëdhënësit e Bashkimit Evropian dhe Departamentit të shtetit nxjerrin në shesh mashtrimin e Kurtit me deklaratën e tyre të përbashkët duke treguar se paska një marrëveshje të negociuar prej tyre sipas të cilës serbët e veriut nuk do të preken për trazirat e fundit. Kurti u përpoq ta trajtonte lirimin e Pantiqit si një veprim teknik që vinte si lëshim i prokurorit Bajraktari duke shprehur habi për vendimin e ndërkohë ministrja e drejtësisë e quajti veprim të rëndë ndërsa partia në pushtet e quajti tradhëti”, ka shkruar Nurellari.
Sipas Nurellarit, deklarata e përbashkët e tyre sqaron se ka pasur negociata të udhëhequra prej BE dhe SHBA për të gjetur një zgjidhje politike që shmang përshkallëzimin.
“Aty thuhet e bardhë me të zezë “ i mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës (we welcome the assurances of the leadership of Kosovo)” që asnjë serb të mos arrestohet ose përndiqet për zhvillimet në veri. Pra është prapë Kurti ai që përsëri zmbrapset dhe amneston Pantiqin dhe banditët që bllokojnë veriun sikurse u zmbrapsën për targat apo zgjedhjet”, ka shkruar Nurellari.


