Lajme

KGJK i reagon Kurtit lidhur me rastin e Pantiqit: Tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme

12/28/2022 15:04
nga:G B

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) i ka reaguar Kryeministrit Albin Kurti pasi pyeti lidhur me emrin e gjyqtarit i cili ka marrë vendim për ndërrimin e masës së të dyshuarit Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Përmes një reagimi, KGJK thotë se tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe i dënojnë fuqishëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës shpreh shqetësim për kërkesën e Kryeministrit Albin Kurti për t’u informuar me emrin e gjyqtarit i cili ka marr vendim ligjor për ndërrimin e masës së të pandehurit Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak. Rikujtojmë Kryeministrin se gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe si të tilla i dënojmë fuqishëm”, thuhet në reagim.

Lidhur me emrin e gjyqtarit që mori vendimin, KGJK thotë se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi kompetent që e mori këtë vendim është gjyqtar i Republikës së Kosovës.

“Sa i përket pyetjes së Kryeministrit Kurti për emrin e gjyqtarit që ka vendosur në lidhje me këtë rast, Këshilli Gjyqësor publikisht e informon Kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë”, thuhet më tej.