Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka reaguar pas mbylljes së pikës kufitare në Merdare ku serbët gjatë natës së mbrëmshme vendosen barrikada afër 2 kilometra në pjesën e Serbisë që e lidh me Kosovën, raporton Gazeta Blic.
Sipas Haradinajt skenari i regjimit pro-rus të Serbisë për destabilizimin e Kosovës, po hyn në një fazë kritike.
Ai i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të reagoj në përputhje me situatën,
Ka pasur edhe një lutje për SHBA që të reagojnë dhe të marrin nën kontroll situatën në Veri të Kosovës.
Reagimi i plotë:
Mbyllja e pikave kufitare njëra pas tjetrës, sulmet e grupeve kriminale të sponzorizuara nga Serbia, ndaj qytetarëve, gazetarëve, Policisë, Eulexit e pjesëtarëve të KFOR-it dhe kujtdo tjetër që e kundërshton këtë skenar ogurzi, kanë marrë përmasa shqetësuese.
Gjendja mund të përshkallëzojë dhe të dalë krejtësisht jashtë kontrollit.
Prandaj në një situatë të tillë, është urgjente që Kosova të mobilizojë gjithë potencialin e vet politik, diplomatik, intelektual e të sigurisë në përballje me këtë rrezik të madh.
I bëj thirrje Kryeministrit që të sillet në përputhje me situatën e krijuar!
Serbia nuk zbrapset me retorika boshe luftënxitëse e as me “trimat e rrjeteve sociale”.
Gjendja është e rëndë dhe kërkon maturi e koordinim, jo vetëm me faktorin e brendshëm por edhe me partnerët ndërkombëtarë.
Njëkohësisht, lus partnerët e sigurisë, posaçërisht Washingtonin, që ta marrin nën kontroll situatën në veri dhe ta ndalin përshkallëzimin e mëtejmë, i cili paraqet rrezik edhe për paqen në rajon!
Tahiri i kërkon Kurti t’i ftojë në takim krerët e partive politike pas situatës në veri


