Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj, personit i cili dyshohet për veprën penale “Sulm seksual”, ndaj një 6-vjeçareje në Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur për Portali Dukagjini, zyrtarja për informim publik në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Ajo ka theksuar se është caktuar edhe seanca gjyqësore e cila do të jetë e mbyllur për publikun.
“Gjykata Themelore në Prishtinë me datë 26 dhjetor 2022 ka vazhduar masën e paraburgimit kundër të pandehurit H.M deri me datë 26 shkurt 2023. Seanca gjyqësore është caktuar, mirëpo në bazë të Kodit Penal për të Mitur, seanca është e mbyllur për publikun”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Portali Dukagjini nga burimet e tij mëson se seanca gjyqësore ndaj të dyshuarit për këtë rast do të mbahet më 17 janar në orën 13:30 te gjykatësja Lumnije Krasniqi.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 nëntor kishte bërë të ditur se të njëjtit të dyshuar i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj.
Po ashtu, më tetë shtator kjo gjykatë kishte bërë të ditur se të njëjtit të dyshuar i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj.
Gjykata Themelore në Prishtinë, gjithashtu më 29 korrik kishte bërë të ditur se të pandehurit H.M, i cili dyshohet për sulm seksual ndaj një 6-vjeçareje, i është vënë masa e paraburgimit prej një muajsh.
Vetëm të mërkurën e 27 korrikut të vitit 2022, ishin raportuar tri raste të sulmeve seksuale ndaj të miturve. Prishtina, Obiliqi dhe Mitrovica, janë vendet ku kanë ndodhur ngjarjet.
Për njërin nga këto raste, i ndodhur në kryeqytet, Portali Dukagjini ka siguruar dëshmi, derisa dëshmitarët (një nga të cilët – nëna e viktimës), konfrontohen me të dyshuarin.
Siç është mësuar nga burimet e portalit, personi i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur (6-vjeçare), është mbi 50 vjeç, dhe është pronar i një marketi në një lagje të Prishtinës.
Po ashtu, edhe viktima është banore e asaj lagjeje.
Sipas burimeve, dy dëshmitarë, teksa kanë hyrë spontanisht në dyqanin e të dyshuarit, e kanë parë atë derisa abuzonte seksualisht me të miturën.
Në pamjet e siguruara nga Portali Dukagjini, shihen një grup qytetarësh teksa e ndalojnë atë ta kryejë veprën penale.
Me të parë atë veprim, dëshmitari fillimisht e ka pyetur “çka e ke këtë vajzë?”, duke iu referuar viktimës, kurse i dyshuari i është përgjigjur se është vajza e tij.
Dëshmitarët të cilët po ashtu janë banorë të së njëjtës lagje, janë larguar nga dyqani për t’u kthyer përsëri pas pak minutash.
Por, herën tjetër i dyshuari gënjen sërish.
Ai pohon se është gjyshi i viktimës 6-vjeçare.
Të njëjtit e marrin vajzën, e cila sipas tyre, dukej e frikësuar dhe po dridhej.
E dërgojnë te familja e saj, për t’ia treguar tërë ngjarjen prindërve.
E shokuar nga rasti, nëna e viktimës së bashku me dy dëshmitarët e rastit, shkojnë të përballen me të dyshuarin në dyqanin e tij.


