Lajme

Deklarohet Policia: Grupet kriminale i vendosën edhe dy barrikada gjatë natës në veri

12/27/2022 09:06
nga:G B

Grupet kriminale i kanë vendosur edhe dy barrikada në veri.

Kështu duke e penguar edhe më tej lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Zyra për Informim e policisë thotë se pengesat janë vendosur në udhëkryqin tek shkolla teknike në veriun e Mitrovicës si dhe tjetra tek vendi i quajtur “Kërrshi i Dudës”.

“Në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda. Njëra prej barrikadave është vendosur në udhëkryqin te shkolla teknike, ndërsa tjetra është vendosur te vendi i quajtur Kërrshi i Dudes”, thuhet në përgjigje.

Sot është dita e 18-të e vendosjes së barrikadave në veri.

Kjo pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka sulmuar Zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor në veriun e Mitrovicës.

Situata në ato zona vazhdon të jetë e tensionuar.

Grupet kriminale në shumë raste i kanë sulmuar qytetarët, mediat, por nuk munguan as sulmet ndaj organeve të sigurisë.