Lajme

Kurti shpërfill thirrjet e “Guxo” për ministrin e Shëndetësisë, dështon sërish Haxhi Avdyli

12/26/2022 14:10
nga:N M

Arben Vitia është emëruar sot Ministër i Shëndetësisë nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, 79 ditë pasi ish-ministri Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Brenda këtyre shtatëdhjetë e nëntë ditëve Lista Guxo kishte propozuar që Haxhi Avdyli të emërohej në këtë pozitë.

I pari nga kjo parti që kishte kërkuar që Ministria e Shëndetësisë ti takoj Listës Guxo ishte Burim Meta. Këtë deklaratë ai e kishte bërë pas dorëheqjes së Rifat Latifit.

“Edhe sa ministra të Shëndetësisë duhet të ndërrohen që ky pozicion në fund t’i takojë Guxo-s?”, kishte shkruar Meta në Facebook.

Kurse, kryetarja e Listës Guxo dhe njëherësh Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla kishte propozuar Haxhi Avdylin për Ministër të Shëndetësisë.

“Nuk është e habitshme që neve na duket që anëtari i partisë tonë i cili është në fushën e shëndetësisë me dekada është një personalitet i respektuar, deputet, nuk është çudi që na duket me i mirë sesa disa të tjera. Vendimin për ministrin e ri të Shëndetësisë e merr natyrisht kryeministri, Qeveria, nuk e merr partia Guxo . Po t’më pyesni mua do të thoja që jemi munduar mjaftueshëm, po kërkojmë një zgjidhje jo të mirë, jo shumë të mirë, por një zgjidhje ekselente, dhe nganjëherë zgjidhjet e tilla kërkojnë kohë”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, kryetari tjetër i partisë, Faton Peci, kishte konfirmuar se çështja është diskutuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.

“Në komunikime që kemi pasë me kryeministrin dhe LVV-në, kemi shpreh një interesim për shkak se e vlerësojmë figurën dhe personalitetin, mbi të gjitha, pasionin që ka Haxhi Avdyli për detyrën ekzekutive”, kishte thënë ai.

Dështoi me Prishtinën, Arben Vitia sërish Ministër i Shëndetësisë