78 grante për projekte në vlerën totale mbi 1 milionë euro dhe përkrahje financiare me bursë për studentët, ku 107 të rinj e të reja do të përfitojnë bursë vjetore në shumë prej 1.000 euro, në vlerën totale prej 107 mijë euro.
Kështu tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili shtoi se për herë të parë, Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete për Luginën në këto përmasa.
“Gjatë këtij viti, kemi siguruar e dërguar për herë të parë libra në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës, në vlerën prej 255 mijë eurove. Në muajin qershor e atë tetor, kemi ndarë respektivisht 50 mijë dhe 35 mijë euro të tjera shtesë. Gjatë shtatorit, së bashku me ministren Nagavci, vizitova Preshevën, Medvegjën e Bujanocin ku i shpërndamë dhe tekstet shkollore për nxënësit”, shkroi ai në Facebook.
Ai tha se ruajtja e kulturës e identitetit është jetike për Luginën e Preshevës. Qeveria e Republikës së Kosovës ndan mjetet financiare që kanë synim promovimin e interesave të shqiptarëve në Luginë, e parandalimin e shpopullimit të vendit.
“Përkrahja financiare është për organizata të shoqërisë civile, studentët, individë e shoqata të pakicës kombëtare shqiptare bazuar në thirrjen publike të shpallur me 1 nëntor 2022 nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar për grante dhe bursa. Vëmendja jonë ndaj Luginës zë një vend të veçantë. Përkrahja jonë vjen si rezultat i përkushtimit dhe angazhimit ndaj të drejtave dhe nevojave të qytetarëve në Luginën e Preshevës”.
“Zbatimi i projekteve përfituese fillon nga muaji janar. Përzgjedhja është përfunduar në baza meritore dhe duke patur parasysh tre kritere: arsyeshmërinë e buxhetit, kapacitetin për zbatim të projektit të propozuar dhe relevancën e projektit me kërkesat e thirrjes.
E kemi mbajtur premtimin tonë për ndarjen e mjeteve për Luginën e Preshevës”.
Mes tjerash, ai në Facebook u shpreh se janë të angazhuar për drejtësi e transparencë, për shpërndarje të barabartë.
“E dimë që Lugina e Preshevës ka nevojë për më shumë, andaj dhe ne do vazhdojmë të përkushtohemi që brenda kapaciteteve tona, të bëjmë më shumë e të bëjmë më mirë. Kur Lugina thërret, ne gjithmonë do të përgjigjemi. Këto iniciativa tona gjatë këtij viti, që erdhën për herë të parë si përkrahje për Luginën e Preshevës, do të vijojnë në forma e mënyra të ndryshme edhe përgjatë vitit të ardhshëm”.


