Lajme

​Nuk ka kuorum, Kuvendi dështon t’i miratojë marrëveshjet ndërkombëtare

12/23/2022 17:22
nga:Astrit Gashi

Kuvendi i Kosovës në mungesë të kuorumit ka dështuar të miratojë katër marrëveshjet ndërkombëtare.

Në momentin e shqyrtimit të marrëveshjeve, në sallën plenare ishin vetëm 64 deputetë, teksa vetëm 60 prej tyre votuan.

Në anën tjetër, Kuvendi dështoi të miratojë edhe disa projektligje që ishin në rend të ditës.

Kthimi në sallë pasdite u përcoll vazhdimisht me numër të vogël deputetësh, vota të pamjaftueshme për të quar përpara projektligjet e parapara me rend dite.

Vetëm Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës arriti të kalonte këtë pasdite, por vetëm pas tentimit të tretë.

Kur radha i erdhi Projektligjit pёr anti dopingun, puna ngeci tek votimi i amendamenteve të propozuara që kërkojnë mbi 60 vota deputetësh.

Duke parë këtë situatë kryeparlamentari vendosi që seanca të përmbyllej, duke mbetur kështu të pashqyrtuara shumë projektligje dhe të pa votuara 3 marrëveshjet ndërkombëtare, njëra prej të cilave ajo për Reformën në Sistemin e Ndihmës Sociale që afatin e skadencës e kishte 31 dhjetorin.

“Vetëm 60 deputet po marrin pjesë në seancë dhe 4 deputet nuk po votojnë. Ne e ndërpresim këtu seancën. Gëzuar Krishtlindjet dhe urime Vitin e Ri. Shihemi në sesionin e ardhshëm”, kanë qenë fjalët e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.

Me këtë seancë është përmbyllur sesioni vjeshtor i Kuvendit. Ligjvënësit kthehen në sallë plenare të hënën e tretë të janarit.

Ndryshe, edhe dje, nuk kishte kuorum për t’u votuar Projekligji për Strategjinë e Energjisë.