Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive (KVLFS) e ka akuzuar presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, se po përpiqet ta shantazhojë dhe t’i bëjë presion komisionit në punën e tij, në një letër që e ka parë Gazeta Nacionale.
Federata e futbollit rrezikon seriozisht të mos e marrë licencën nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit për kryerjen e veprimtarive sportive në territor vendi, për shkak të telasheve me udhëheqësin e vet, Agim Ademi, i cili është në rigjykim.
Ademi së bashku me Muharrem Ramën akuzohet se më 2012 e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke i kërkuar atij para në vlerë prej 30 mijë euro ose një veturë luksoze “BMW X5”.
Në një letër dërguar Ademit, Komisioni Vlerësues i MKRS-së e akuzon Ademin se po e paragjykon punën e tij dhe se ka shfaqur tendencë të hapur për shantazh.
“Jemi të detyruar që t’iu përsërisim qëndrimin e përcjellë me datë 16 Dhjetor 2022 (përmes shkresës elektronike) lidhur me pjesën e parë të shkresës tuaj, në të cilën keni ripërcjellë qëndrime paragjykuese për punën e anëtarëve të KVLFS-së, duke bërë ndërlidhje të paqëndrueshme dhe të pa-argumentuara të kërkesave që i janë drejtuar FFK-së nga KVLFS-ja, me çështje të tjera që nuk ndërlidhen me punën e anëtarëve të KVLFS-së”, thuhet në letrën e KVLFS dërguar Ademit.
“Qasja e tillë përveç që është paragjykuese, është edhe denigruese dhe paraqet tendencë të hapur të shantazhimit, dhe ka për qëllim të bëjë presion në punën e anëtarëve të Komisionit Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive, prandaj kërkojmë që kjo qasje të ndërpritet sepse është e pabazuar plotësisht, dhe në vend të kësaj ofrojmë dhe kërkojmë bashkëpunim reciprok në këtë proces që është tërësisht dhe vetëm ligjor”, thuhet tutje.
FFK / FFK-ja s’i plotëson kushtet që klubet e saj të përfitojnë nga ligji për sponsorizim, rrezikon të mos licencohet fare
Për shkak të moslicencimit të FFK-së, futbolli në vend rrezikon kolapsin, pasi klubet e futbollit nuk do të jenë në gjendje të përfitojnë nga ligji për sponsorizim.
Vendimi i komisionit të MKRS-së për të mos iu lëshuar vërtetim për licencim klubeve është një goditje e rëndë për klubet e futbollit, të cilat e shohin atë si burimin kryesor të financimit. Klubet pritej të përfitonin shuma të larta nga ky ligj.
Po ashtu, sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit u njihet zbritja tridhjetë për qind (30%) nga tatimi në fitim sipas këtij ligji.


