Lajme

KFOR-i apo Policia e Kosovës, ekspertët e sigurisë tregojnë kush duhet t’i heqë barrikadat në veri

12/22/2022 21:45
nga:G B

Janë bërë 13 ditë që kur janë vendosur barrikadat në veri të vendit, nga ana e serbëve.

Kryeministri Albin Kurti ditë më parë tha se ato nuk do të qëndrojnë edhe gjatë dhe se KFOR-i ka kërkuar kohë që t’i largojë ato.

Ndërsa, sot në një konferencë për media, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se po presin që të veprojë KFOR-i sa më shpejt, por që tha se nëse nuk e bën ai, barrikadat do të hiqen nga Kosova.

“Ata KFOR kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që këtë angazhim të tyre ta realizojnë. Por, pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në stacionin policor Jarinjë dhe Leposaviq, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Unë besoj se KFOR-i dhe gjithë faktori ndërkombëtar do të angazhohet maksimalisht që këtë ta bëjnë sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.

Lidhur me këtë, për Gazeta Blic kanë folur ekspertët e sigurisë.

Drizan Shala, ekspert i sigurisë, thotë se sa më shumë që qëndrojnë barrikadat në veri, më shumë humb legjitimiteti dhe kushtetueshmëria e vendit dhe se do të jetë më problem heqja e tyre nga KFOR-i.

“Situata në veri nga çdo moment që janë duke qëndruar barrikadat po humb legjitimiteti dhe kushtetueshmëria e vendit. Sepse barrikadat tani kanë marrë konotacion politik dhe me këtë KFOR-i do të jetë më problematik t’i heqë ato, duke pritur deri të shterohen të gjitha mundësitë e bisedimeve”, thotë ai.

Sipas Shalës, nëse ndërhyn policia, ndërron veprimi, teksa shton se policia ka kapacitete për një operacion të tillë, por jo me këtë ministër.

“Në rast se ndërhyn policia e Kosovës, atëherë do të ndërrohet veprimi nga niveli politik që ka rrëshqitur në nivel sigurie ku edhe duhet të jetë. Policia e Kosovës ka gjitha mundësitë për një operacion të tillë por me një ministër tjetër jo ky që është sepse de fakto nuk ka kredibilitet për të marrë as edhe një veprim dhe vendim në nivel politik”, vlerëson eksperti i sigurisë për Gazeta Blic.

Ai shton se politika e Sveçlës, që e quan politikë të “axhamillëkut”, e ka rrëshqitur situatën.

“Mund të themi që një politikë e axhamillakut nga ana e Ministrit e ka rrëshqitur situatën, duke krijuar momentum të ri politik në Kosovë dhe që është në dëm të sigurisë nacionale të vendit”, deklaron Drizan Shala.

Ndërsa, studiuesi i sigurisë, Armend Halimi, thotë për Gazeta Blic se KFOR-i do të duhej ta kryente punën e tij për lirinë e lëvizjes dhe se mos reagimi i tij flet për dështimin para grupeve kriminale.

“KFOR do të duhej pa vonesë të kryejë punët për çka kanë edhe mision, garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë. Ndryshe, mosreagimi dhe arsyetimi flet për një dështim para grupeve kriminale dhe terroriste, sepse askund nuk pritet kërkim leje nga kriminelët për luftimin e tyre”, thotë ai.

Sipas Halimit, e gjithë kjo do ta zbehë imazhin e KFOR-it dhe se ata nuk do të duhej të ndikoheshin nga asnjë politikë, në këtë rast ajo e Beogradit.

“Krejt kjo fatkeqësisht bën të zbehet imazhi i KFOR-it, që deri tani ka qenë vlerësuar lart nga populli i Kosovës. Ne mund të kuptojmë ‘arsyetimet’ se veprimin e tyre e ndikojnë vendimet politike, mirëpo, asnjë politikë e sidomos kjo agresive e Beogradit, për më tepër nga një qendër e një vendi tjetër nuk do duhej të jetë komanduese e punës së tyre”, shton ai.

Halimi për Gazeta Blic potencon se KFOR-i është respektuar nga institucionet e Kosovës që e kanë pritur reagimin e tyre dhe ato duhet të aktivizojnë çdo mjet për largimin e barrikadave dhe arrestimet e të gjithëve që sfidojnë punën e tyre.

“Institucionet e Kosovës kanë respektuar këtë mision, duke pritur reagimin e tyre. Ndërsa EULEX veç ka potencuar se janë vetëm për asistencë sipas kërkesës së Policisë së Kosovës. Andaj, padyshim dhe pa asnjë kundërshtim, institucionet e Republikës së Kosovës tanimë pa pikë tolerance, me çdo mjet duhet aktivizuar në drejtim jo vetëm të largimit të barrikadave, por edhe arrestimet e organizatorëve dhe çdo personi që sfidon punën e tyre”, deklaron Armend Halimi./Gazeta Blic/