Lajme

Futja e foshnjës në lavatriçe, Prokuroria dhe Inspektorati shkojnë në Spitalin e Pejës

12/21/2022 20:57
nga:Astrit Gashi

Një rast i tmerrshëm po dyshohet të ketë ndodhur në Spitalin e Pejës, atje ku një foshnje e vdekur, e mbështjellur me çarçafë, nga pakujdesia është futur lavatriçe.

Lidhur me rastin, kanë folur edhe nga Prokuroria e Pejës.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi ka thënë se rasti ka ndodhur javën e kaluar, teksa Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Inspektorati i Shëndetësisë kanë ndërmarrë disa veprime.

Këto dy institucione tanimë kanë dalë në vendin e ngjarjes, siç bëri të ditur Nikçi.

“Ne si prokurori jemi në fazën hetimore dhe për shkak se është rast i ndjeshëm, s’mund të jap më shume informata”- tha ai.

Ai gjithashtu bëri të ditur se ka pasur takim edhe mes prindit të foshnjës dhe prokurores së rastit.