Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë emëruar Inspektor të ri të Përgjithshëm të AKI-së, Kujtim Shala, i cili deri më tani ishte i angazhuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës, raporton Gazeta Blic.
Këtë e ka bërë të ditur Presidenca përmes një njoftimi në Facebook, derisa emërimi i Shalës ka ardhur pas dorëheqjes së inspektorit të deritanishëm, Burim Ramadani.
Kurti dhe Osmani e kanë falënderuar Ramadanin për shërbimin e tij në AKI nga viti 2019 dhe i kanë uruar suksese të mëtejme në angazhimet e tij profesionale.
Postimi i plotë:
Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti emërojnë Inspektorin e ri të Përgjithshëm të AKI-së
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti sot janë njoftuar nga Inspektori i Përgjithshëm i deritashëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Burim Ramadani për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë. Ata kanë falënderuar z. Ramadani për shërbimin e tij në AKI nga viti 2019 dhe i kanë uruar suksese të mëtejme në angazhimet e tij profesionale.
Pas konsultimeve, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë emëruar Inspektor të ri të Përgjithshëm të AKI-së, z. Kujtim Shala, i cili deri më tani ishte i angazhuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.


