Sporti

FFK-ja nuk licencohet, Abedin Zeka paralajmëron largimin nga Trepça ’89 pas këtij vendimi

12/21/2022 16:55
nga:Mergim Rreci

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit edhe zyrtarisht i ka dërguar shkresën Federatës së Futbollit të Kosovës, me ç’rast e ka njoftuar atë se nuk është licencuar.

Hapi i parë që ka bërë MKRS në këtë drejtim është ndalimi i ligjit për sponsorizimit të klubeve futbollistike duke iu lëshuar atyre këtë vendim.

MKRS pritet t’i dërgojë vendimin edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për ti njoftuar se klubet nuk mund ti thërrasin policët për sigurimin e ndeshjeve të organizuara nga FFK.

Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, ka paralajmëruar se do të largohet nga Trepça ’89, nëse një vendim i tillë do të hyjë në fuqi.

Në rast se ky vendim do të merret, unë do të largohem nga Trepça ’89. Kemi punuar për shumë vite me vuajtje e sakrifica vetëm që sot t’i gëzojmë sukseset e futbollit tonë. Ne nuk do të kemi mundësi që personalisht të mbajmë tërë barrën në klube pa sponzorët e jashtëm. Ne nuk kishim asnjë informatë nga FFK që nuk jemi të licencuar. Në rast se do të konfirmohet një vendim i tillë, atëherë rrezikohet edhe organizimi i garave, sepse shteti nuk do të dërgojë me policë për të kontrolluar sigurinë në ndeshje“, tha Zeka për ‘GazetaBlic Sport’.

Ai më pas tha se FFK duhet të mbajë përgjegjësi në rast se kjo gjë ka ndodhur nga ndonjë gabim i tyre.

Ashtu si punët e mira dhe lëvdatat, FFK dhe i ‘Zoti i shtëpisë’ duhet të mbajë përgjegjësi edhe për gabimet dhe dështimet si tek ky rast. Ai duhet ta na tregojë arsyen se pse nuk është licencuar Federata jonë”, përfundoi Zeka.

Para pak minutave, FFK ka reaguar se nuk ka marrë asnjë njoftim për refuzim nga MKRS.


/GazetaBlic Sport/