Pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, janë vendosur në urën e Bistricës në rrugën kryesore që shpie nga Mitrovica në Leposaviq, ka njoftuar para pak qastësh mediumi në gjuhën serbe, Kosovo Online.
Forcat speciale arritën në atë vend me pesë xhipa të blinduar dhe serbët vendas frikësohen se aty mund të vendoset një postblloqe ose se ndoshta mund të jetë paralajmërim për heqjen e barrikadave, shkruan Kosovo Online.
Ura e Bistricës gjendet në rrugën kryesore Mitrovicë-Rashkë, jo shumë larg kthesës për Banjsko në drejtim të Leposaviqit dhe vendkalimit administrativ Jarinje.
Serbët nga veriu i Kosovës kanë 12 ditë që janë në barrikada, të cilat i kanë ngritur në rrugë për shkak të arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga Mitrovica Veriore, Dejan Pantiq.


