Lajme

Ekspertët e sigurisë: Barrikadat në veri të hiqen nga KFOR-i, çdo veprim i pamatur do të eskalonte situatën!

12/21/2022 12:22
nga:Y I

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se heqja e barrikadave po pasohet me kushtëzime nga ana e Serbisë.

Ai theksoi se mundësitë për një marrëveshje politike mes palëve tashmë po shkojnë duke u shteruar.

Tutje Ibishi potencoi se Qeveria e Kosovës po pret që barrikadat të hiqen nga KFOR-i.

“Është dashur me kohë të parandalohej vendosja e barrikadave dhe jo të vinte në këtë situatë me u blloku dy kalimet kufitare. Po shkaktohet tashmë një bllokim i lëvizjes së qytetarëve dhe funksionaliteti i sistemit të sigurisë. Jemi në një situatë të bllokimit të plotë dhe të kushtëzimit duke nis nga kërkesa për lirimin e ish-policit serb Pantiq, i cili akuzohet për krime dhe pastaj kemi edhe kërkesën e  kryetarit të “Listës Serbe” i cili kërkon largimin e Policisë së Kosovës, pra kemi kërkesa të pafundme nga ana e tyre”, tha ai.

Sipas tij, mundësitë për një marrëveshje politike po shkojnë duke u shteruar.

“Mundësitë për një marrëveshje politike po shkojnë tashmë duke u shterur në sajë të kushtëzimeve, që nuk janë politike. Për mua me u përfundua gjithë kjo duhet të merren masa për largimin e barrikadave dhe hapjen e rrugëve për lëvizjen e lirë dhe funksionalitetin e sektorit të sigurisë. Mendoj se kjo do të agravonte situatën edhe më tej dhe kjo do të merrte përmasa shqetësuese. Kur nuk ka komunikim ka mundësi për deziinformata dhe panik dhe mendoj që duhet të merret një vendim i shpejtë. Qeveria me ministrinë po presin që këtë punë ta zbatojë KFOR-i. KFOR ka paralajmëruar se nuk duhet të ketë barrikada në Veri por që sa ditë pikat kufitare dhe disa rrugë alternative vazhdojnë të jenë të bllokuara”, deklaroi Ibishi për “Gazeta Blic”

Ndërsa eksperti i sigurisë Drizan Shala, po thotë se barrikadat në Veri duhet të largohen nga KFOR-i.

Shala në një prononcim të dhënë për “Gazeta Blic” tha se të njëjtit duhet të ndërhyjnë siç kanë bërë në vitin 2021.

“Barrikadat për momentin janë kontekst politik, sipas të gjitha gjasave ato duhet t’i largojë KFOR-i e cila ka mandatin që sipas rezolutës 1244 për të garantuar lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Edhe njëherë duhet të ndërhyjë KFOR-i siç ka ndërhyrë në 2021 kur është bërë largimi i barrikadave dhe veprimet e ardhshme të institucioneve të Republikës së Kosovës duhet të jenë të matura dhe koordinuara me partnerët ndërkombëtare që situata të tilla mos të na ripërsëriten”, deklaroi Shala për “Gazeta Blic”

Shala theksoi se situata në Veri është tejet e tensionuar dhe çdo veprim i institucioneve të Kosovës duhet të jetë i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.

“Sipas situatës në terren, në pjesën veriore mund të themi se që mbrëmë ka patuar ri shpërthime përmes shok-bombave në Mitrovicën e Veriut. Në këtë aspekt mund të themi se tensionimi është në skajin më të skajshëm, çfarëdo veprimi i pamatur dhe ad-hoc nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës do të konsiderohet provokim të cilin janë duke e pritur dhe mbi këtë veprim janë duke kalkuluar edhe skenarë të tjerë të strukturave paralele të Serbisë të cilët veprojnë përmes krimit të organizuar ne pjesën veriore”, deklaroi Shala.

Sot është bere dita e 12-të kur serbët lokalë vendosën barrikadat në disa pika kufitare dhe rrugë alternative në komunat veriore Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Pavarësisht thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare ato ende nuk janë hequr nga ana e Serbisë.

/Gazeta Blic/

Forcat serbe në Kosovë? Shea: Beogradi e dinte përgjigjen edhe para se ta bënte kërkesën