Lajme

VV e zhgënjyer me KFOR-in për barrikadat në veri: Kërkoi pak ditë, ndërkohë sot u bën 12 ditë e asnjë lëvizje

12/21/2022 10:52
nga:Gazeta Blic

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci është shprehur i zhgënjyer me KFOR-in për mos heqjen e barrikadave në veri të vendit, raporton Gazeta Blic.

Ai ka reaguar përmes Facebookut, ku ka shkruar se KFOR-i kishte kërkuar pak ditë kohë, ndërkohë sipas tij, sot u bën 12 ditë.

“Kfori kërkoi pak ditë, ndërkohë sot u bën 12 ditë. Asnjë reagim”, ka shkruar ai.

Ndryshe, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO gjatë ditëve të fundit ka kryer disa ushtrime në veri të Kosovës, ku situata vazhdon të jetë e tensionuar.

KFOR-i në llogarinë zyrtare në Facebook, ka publikuar pamje gjatë patrullimit në veri, ndërsa ka thënë se kjo është bërë për të testuar aftësitë e tyre për të vazhduar sigurimin e një mjedisi të sigurt.

“Gjatë ditëve të fundit, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka kryer një sërë ushtrimesh në veri të Kosovës për të testuar aftësitë e tij për të vazhduar sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të lirë të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në postimin e tyre.

Tutje, KFOR-i ka thënë se këto aktivitete janë kryer në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me akterët kryesorë në zonë dhe në përputhje me mandatin e KFOR-it në OKB bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.

KFOR-i publikon pamje gjatë patrullimit në veri: Testuam aftësitë tona për të vazhduar sigurimin e lëvizjes së lirë