Lajme

Një person kërcënon zyrtaren e Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë

12/21/2022 07:57
nga:Y I

Zyrtarët shtetërorë, duke përfshirë edhe pozita të larta të shtetit shpesh kanë qenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme dhe për pasojë kanë kërkuar ndihmë e mbrojtje nga Policia. Për një rast të tillë tashmë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas denoncimit të një rasti ku viktimë është një zyrtare e Qendrës për Punë Sociale.

Mësohet se e gjithë ngjarja ka ndodhur të hënën, kur i dyshuari ka kanosur seriozisht duke i cenuar integritetin një zyrtareje të QPS-së në Prishtinë.

Kjo e fundit përballë kësaj situate, e shqetësuar ka denoncuar rastin në Polici, ku para hetuesve policorë ka bërë me dije se kërcënimi lidhet me punën e saj që e kryen në institucionin në fjalë.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që dje të arrestojnë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndërkohë Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Kanosje’ dhe i dyshuari do të hetohet në liri./Sinjali/